Foto: BBC

Shkencëtarët australianë zbuluan se si sistemi imunitar lufton coronavirusin

Shkencëtarët në Australi thonë se ata kanë identifikuar se si sistemi imunitar i trupit lufton virusin Covid-19.

Siç raporton BBC, hulumtimi i tyre, i botuar të martën në revistën “Nature Medicine”, tregon se njerëzit po shërohen nga coronavirusi në mënyrë të njëjtë sikurse nga gripet tjera.

Duke u përcaktuar se cilat qeliza imune shfaqen, sipas ekspertëve kjo ndihmon në zhvillimin e vaksinës shëruese për këtë virus.

“Ky [zbulim] është i rëndësishëm sepse është hera e parë kur ne me të vërtetë po kuptojmë se si sistemi ynë imunitar lufton koronavirusin e ri”, tha bashkautorja e studimit, Katherine Kedzierska.

Ky hulumtim i Institutit për infeksione dhe imunitet – ‘Peter Doherty’ të Melbourne, është vlerësuar nga eskpertët e tjerë si ‘përparim’’.

Cfarë është gjetur?

Shumë njerëz janë rikuperuar nga Covid-19, që do të thotë se dihet që sistemi imunitar mund të luftojë me sukses virusin.

Por për herë të parë, hulumtimi identifikoi katër lloje të qelizave imune të cilat prezantuan për të luftuar Covid-19.

Ato u vëzhguan duke përcjellur një pacient i cili kishte një rast të butë të virusit dhe asnjë problem tjetër shëndetësor.

Gruaja 47-vjeçare nga Wuhani në Kinë, ishte paraqitur në spital në Australi dhe sipas tyre, ajo u shërua brenda 14 ditëve.

Kedzierska tha për BBC se ekipi i saj kishte ekzaminuar “shtrirjen e përgjigjes imune” te kjo paciente.

“Tre ditë para se gruaja të fillonte të përmirësohej, qelizat specifike ishin njollosur në rrjedhën e saj të gjakut. Te pacientët me grip, këto qeliza të njëjta gjithashtu shfaqen rreth kësaj kohe para shërimit”, tha ajo.

“Ne ishim shumë të lumtur për rezultatet tona për faktin që ne mund të kapnim shfaqjen e qelizave imune në pacienten e infektuar para përmirësimit klinik”, i tha ajo BBC-së.

Sipas saj, më shumë se 12 shkencëtarë punuan shumë për katër javë për të dhënë analizën.

Cfarë ndihmon kjo?

Identifikimi kur qelizat imune goditen mund të ndihmojë në “parashikimin e rrjedhës së virusit”, tha Prof Bruce Thompson, dekan i shkencave shëndetësore në Universitetin e Teknologjisë Swinburne.

“Kur e dini se kur ndodhin përgjigjet e ndryshme, mund të parashikoni se ku jeni në shërimin e virusit”, i tha Prof Thompson BBC-së.

Ministri i Shëndetit në Australi Greg Hunt tha se gjetja gjithashtu mund të ndihmojë “gjurmimin e shpejtë” të një vaksine dhe trajtimeve të mundshme për pacientët e infektuar.

Kedzierska shtoi se hapi tjetër për shkencëtarët ishte të përcaktojnë pse reagimi imunitar ishte më i dobët në raste më të këqija.

“Me të vërtetë është e rëndësishme tani për të kuptuar se çfarë ka mungesë ose pse është ndryshe në pacientët që kanë vdekur, ose që kanë një sëmundje të rëndë – kështu që ne mund të kuptojmë se si t’i mbrojmë ata”, tha ajo.

Në nivel global, autoritetet kanë konfirmuar se janë më shumë se 160 mijë raste të koronavirusit dhe rreth  6 mijë e 500 vdekje.