Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, dhe rivali i saj republikan, Donald Trump - 2024
Shkëlqimi i Trumpit përballë Bidenit dhe rënia e tij kundrejt Harrisit
Donald Trumpi është munduar ta rimarrë veten të mërkurën – sipas kohës lokale amerikane – pas një debati që pati një natë më parë kundrejt Kamala Harrisit, me shpresë se do të zërë hapin kur kanë mbetur 55 ditë para ditës së zgjedhjeve presidenciale, përderisa procesi zgjedhor i votimit tashmë ka nisur në Alabama dhe në shtete tjera, vlerëson agjencia AP.
Jo më shumë se tre muaj më parë, Trumpi doli kokëlart nga skena e Atlantës pasi pa me sytë e tij presidentin Joe Biden në një përformancë të shpartalluar e të dobët që detyroi 81-vjeçari t’i jepte fund garës për rizgjedhje dhe ta mbështeste Harrisin, zëvendësen e tij, për t’i përfaqësuar demokratët kundrejt republikanëve. Në fund të debatit të të martës mbrëma, ishte 78-vjeçari Donald Trump ai i cili u vu në pozitë mbrojtëse pasi 59-vjeçarja Harris kontrolloi pjesën më të madhe të debatit, duke e gozhduar vazhdimisht ish-presidentin republikan që dha përgjigje të ekzagjeruara dhe me të pavërteta brenda tyre.
Përformanca bëri që shumë republikanë të sulmonin paraqitjen e Harrisit dhe të ngulmonin se Trumpi ende ka kohë të mblidhte veten përsëri për të folur për ekonominë, emigrantët ilegalë dhe çështje të tjera që mund të jenë përcaktuese për elektoratin e ndarë me një vijë të hollë.
“Ma ha mendja se kontrasti do të mund të bëhej më i madh lidhur me atë se çfarë kanë bërë politikat e saj gjatë tre vjet e gjysmë”, ka deklaruar senatorja republikan, Shelley Moore Capito nga Virxhinia Perëndimore në një kritikë për qasjen e ish-presidentit. “Unë në këtë pikë do të përqendrohesha”.
Fushata e Harrisit menjëherë i ka dhënë mbështetje idesë për një debat të dytë. “Fox News” ka propozuar një rimeç politik në tetor, por me moderatorët që Trumpi ka lënë të kuptohet se nuk i preferon. Dhe në llogarinë e tij në “Truth Social”, ka shkruar të mërkurën se nuk është e nevojshme të ketë një debat të dytë.
“Në botën e boksit, ose UFC, kur një luftëtar rrihet ose rrëzohet, ngrihen dhe bërtasin, ‘Dua një rimeç, dua një rimeç!’ Paj, mirë nuk është ndryshe edhe me debatin”, ka shkruar Trump, duke pretenduar se e fitoi debatin. “Ajo u rrah keq mbrëmë… andaj pse do të më duhej një rimeç?”
Trump dhe Harris janë bërë bashkë shkurtimisht të mërkurën sipas kohës lokale amerikane në New York, ku iu bashkuan presidentit Joe Biden dhe liderëve të tjerë në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregtisë. Ata ia zgjatën dorën njëri-tjetrit për të dytën herë brenda 12 orësh, me shtrëngimin e parë të duarve në skenën para nisjes së debatit kur Harris iu afrua në shenjë të paralajmërimit të qasjes agresive që do të kishte pastaj kundrejt tij.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com