Shkeljet në prokurim, Komisioni parlamentar kritikon KEK-un pas gjetjeve të auditorit

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike janë shprehur të shqetësuar pas publikimit të raportit të auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), i cili shpërfaqi disa gjetje negative në fushën e prokurimit.

Anëtari i Komisioni tnga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Rashit Qalaj tha se raporti për të është “më i keqi” që ka shqyrtuar ndonjëherë ky komision.

“Ky është raporti më i keq që prej jam pjesë e këtij komisioni. Në mënyrën qysh është prezantuar zyra e prokurimit, është katastrofë. Domethënë me e shpall zyrtarisht një kompani të papërgjegjshëm dhe pastaj me negociu më të, është pa koment. I tërë raporti është shumë shqetësues”, tha Qalaj.

Ndërkaq, Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje tha se për të është shqetësuese informatat e pakta që shpalosën kryeshefi i KEK-ut dhe kryesuesi i bordit.

“Është shqetësuese mos informata e krye shefit dhe kryesuesit. Nuk jemi asnjëri nga deputet duke kërkuar llogari por informacion. Për mua janë të papranueshme kontratat me negocion nga kushdo që bëhen, nuk e kuptoj qysh mundeni me u deklaru që do të ketë shumë kompani dhe nuk do të ketë tenderim publik”, tha mes të tjerash Rrahamni.

Në nisje të kësaj mbledhje kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami ka prezantuar disa nga të gjetjet kryesore të raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi tha se “neglizhenca ka ndikuar që kjo korporatë të hyjë në procedura jo të duhura të prokurimit”.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Skender Haziri tha se “disa prej gjetjeve kanë nis të përmirësohen”.

ZKA kishte gjetur se Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i kishte tepruar një sasi e madhe e kushinetave në depo, pasi që gjatë aktivitetit të prokurimit e kishte keqplanifikuar blerjen.

KEK-u kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 62 mijë e 160 euro për blerje të kushinetave. Operatori ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021.

Por që në fund të vitit 2021 gjendja në depo kishte ndryshuar shumë pak. Shumica e kushinetave të blera ishin ende në depo, ndërsa KEK-u për to kishte kërkuar garanci për vetëm 12 muaj.

Sipas këtij raporti, Korporata Energjetike e Kosovës gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020 ka lidhur plot 98 kontrata të negociuara, me vlerë prej 377 mijë e 140 euro, për reklamime nëpër media të ndryshme në Kosovë.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, asnjëherë nuk ishte matur efekti i këtyre kontratave.