Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkeljet e rregullave zgjedhore, PZAP ka ndëshkuar me 125 mijë euro gjoba subjektet politike për 10 ditë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më sot, 22.01.2025.

Sipas vendimeve të publikuara, e para për nga shuma e gjobave është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme.

Gjoba më e lartë ndaj kësaj partie është 20 mijë euro, e shqiptuar për krahasimin e kandidates për deputete, Xhenet Syka Kelmendi, e cila e ka krahasuar kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurtin, me Adolf Hitlerin.

LDK gjithashtu u dënua me 6 mijë euro për shkak të mbajtjes se tubimeve pa autorizim, me 8 mijë euro për tubim në ambientet e QKMF-së, me 3 mijë e 500 euro për një baner të vendosur në hapësirat e stadiumit në Pejë, me 4 mijë euro për baner të Lumir Abdixhikut dhe Visar Azemit në hapësirë publike në Ferizaj dhe me 3 mijë e 500 euro për baner të kandidates Doruntinë Maloku në hapësirë publike.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës për 10 ditë fushatë është dënuar gjithsej 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme.

Gjoba më e lartë ndaj kësaj partie është gjoba prej 8 mijë eurosh për shkak të postimit të një video ku shihet Sami Lushtaku duke i quajtur aktivistet e LVV-së ‘zagarë’.

Sipas vendimeve të publikuara në PZAP, PDK u dënua me 4 mijë euro për shkak të një video të kandidatit për deputet Pleurat Sejdiu, e realizuar në hapësirat e Odes së Mjekëve të Kosovës, me 2 mijë euro për  veprim që nxit urrejtje, me 9 mijë e 500 euro për dy banere të kandidates për deputete, Blerta Deliu Kodra, të vendosur në hapësira publike, me 9 mijë e 500 euro për dy postera të kandidatit për deputet Mergim Lushtakut, të vendosur në hapësira publike, me 3 mijë e 500 euro për poster të vendosur në hapësirë shtetërore, me 8 mijë euro për dy video të deputeteve Ariana Musliu Shoshi dhe Blerta Deliu Kodra.

Ndërsa, koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30, është dënuar me gjithsej  23 mijë e 500 euro gjobë deri më tani, për tri raste të ndryshme.

12 mijë euro i ka kushtuar AAK-së një deklaratë e kandidatit për kryeministër të këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, ndaj Albin Kurtit.

8 mijë euro i ka kushtuar dënimi për shkak të organizimit të një tubimi të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, në  Shtëpinë e Shëndetit në Malishevë.

Ndërsa, me 3 mijë e 500 euro është dënuar AAK për një baner të kandidatit Nuredin Lushtaku.

Po ashtu, PZAP për 10 ditë fushatë ka dënuar me gjithsej 12 mijë euro partinë Lëvizja Vetëvendosje për katër raste të ndryshme.

LVV me 6 mijë e 500 euro mijë euro është dënuar për dy deklarata të kandidatit për kryeministër Albin Kurti, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

Me 3 mijë e 500 euro LVV-ja është dënuar për vendosjen e një baneri  në hapësirat e stadiumit në Pejë.

Dhe me 2 mijë euro për pjesëmarrjen e anëtarit të KKZ-së, Berat Gashi në një tubim të LVV-së.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.