OJQ-të e Ferizajt - Komuna shkeli ligjin në tenderin për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë

Grupi Monitorues i Organizatave Jo-Qeveritare të rajonit të Ferizajt, ka publikuar raportin e monitorimit të aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë – Faza e dytë.

Gjetjet e raportit të publikuar tregojnë se komuna e Ferizajt ka bërë një sërë shkeljesh gjatë inicimit dhe zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit, poashtu është bërë tejkalimi i vlerës së kontratës në raport me planifikimin e prokurimit dhe Kornizën Buxhetore.

“Komuna e Ferizajt ka lidhur kontratë mbi 17 mijë € më të shtrenjtë se vlera e parashikuar me njoftimin për kontratë, ndërsa diferenca me buxhetin e Komunës për ketë projekt është 27 mijë euro. Hyrja në marrëdhënie kontraktuale në shuma më të larta se disponueshmëria e mjeteve financiare të komunës është e ndaluar sipas nenit 9 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit për Financat Publike”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas këtij raporti komuna ka bërë shkelje të ligjit për prokurimit publik pasi që i janë dashtë 63 ditë kohë për të bërë vlerësimin e 6 ofertave sa ishin gjithsej të dorëzuara gjatë aktivitetit të tenderimit.

“Zvarritja e vlerësimit të tenderit është shkelje e nenit 41.2 të Rregullave dhe Udhëzuesit për Prokurimit Publik, i cili obligon autoritetet kontraktuese që procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Për shkak të vonesave në vlerësimin e tenderëve, validiteti i tenderit kishte skaduar”, thuhet tutje në Komunikatë

Grupi monitorues i organizatave jo-qeveritare  të rajonit të Ferizajt i përbërë nga organizatat Iniciativa për Progres (INPO), Leadership Development Association Albania, Branch in Kosovo (LDA), Center for Education and Development “The Future” (CEDF), Organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, kanë gjetur shkelje të tjera tek menaxhimi i kontratës.

“Në regjistrin e prokurimit, nuk ka qenë i administruar Plani i Menaxhimit të Kontratës, ndërkaq, zyrtari përgjegjës i prokurimit është arsyetuar se këtë plan e posedon Menaxheri i Kontratës. Menaxheri i kontratës ka refuzuar që t’i ofroj qasje pjesëmarrësve në këtë plan, me arsyetimin se të njëjtin duhet ta kërkojmë në zyrën e prokurimit. Neni 81 i Ligjit për Prokurimin Publik, obligon komunën që për kontrata të vlerës së madhe dhe të mesme, pas nënshkrimit të kontratës, të prodhojnë një plan të menaxhimit të kontratës”, thuhet tutje në komunikatë.