Qendra Korrektuese e Lipjanit - Foto: KALLXO.com

Shkelja e ligjit në burgun e Lipjanit

Departamenti i Shtetit Amerikan ka publikuar një raport ku janë treguar disa parregullsi që janë gjetur në burgjet dhe në qendrat e paraburgimit në Kosovë.

Një parregullsi e tillë është parë edhe në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

Sipas këtij raporti, Qendra Rehabilituese për Viktimat e Torturës ka raportuar se në këtë qendër ku vuajnë dënimin të miturit janë strehuar edhe të burgosur të rritur.

“Qendra Rehabilituese për Viktimat e Torturës raportoi se Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan strehonte të burgosur të rritur, edhe pse në një ndërtesë të veçantë”, thuhet në raportin e DASH.

Sipas këtij raporti, një veprim i tillë është bërë që të angazhohen këta të burgosur në punë.

Tutje Departamenti ka treguar se nga Qendra Rehabilitimit është raportuar se vendosja e të dënuarve madhorë në një institucion për të mitur është e ndaluar me ligj.

Kjo nuk është shkelja e vetme që është vërejtur nga DASH.

Një shkelje tjetër që është raportuar janë edhe ngacmim verbal, dhunë në mes të burgosurve e keqtrajtim fizik nga zyrtarët korrektues, që sipas DASH se janë vërejtur kryesisht njësinë për të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan, por edhe në burgun e Dubravës dhe në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë.

Raportin e plotë të DASH e gjeni KËTU.