Shkelja e kushteve teknike të KOSTT-it lë Fakultetin e Bujqësisë pa energji elektrike-VIDEO

Ndërtimi i Objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë jashtë kushteve teknike të lëshuara nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka bërë që studentët e këtij fakulteti të mbesin pa hapësira të veta edhe këtë vit.

Objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV) është ndërtuar më afër se që lejohet në raport me përçuesin e fundit të shtyllës elektrike të KOSTT-it dhe nuk i është bërë ende kyçja në sistemin elektoenergjetik.

Studentët do vijojnë ligjëratat në disa hapësira të Gjimnazit Matematikor në Prishtinë deri në gjetjen e një zgjidhje.

Zana Rama nga  KOSTT për Kallxo.com ka bërë të ditur se kanë lëshuar kushtet teknike për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë në kushtet e lejuara me distancë 7 metra nga përçuesi i fundit.

“Kushtet e lejuara teknike me distancë prej 7 metra nga projeksioni horizontal i përçuesit të fundit të cilat janë lëshuar nga KOSTT janë bazuar në legjislacionin në fuqi në kohën e parashtrimit të kërkesës, si në vijim:-Udhëzimi Administrativ nr. 2005/7;-UA 03/2017 mbi Rregullat për Zonat e Sigurisë,-Rregullorja nr.65/88 për Dhënien e pëlqimeve për ndërtim të objekteve në afërsi të Trafostacioneve & Largpërçuesve dhe nën Largpërçues;-Kodit të Pajisjeve Elektrike të KOSTT-it dhe-Rregullat Teknike për Ndërtim dhe Mirëmbajtjen e Objekteve Elektroenergjetike të trafostacioneve dhe të linjave”- ka thënë Rama.

Sipas zyrtares së KOSTT-it, përkundër kushteve teknike të lëshuara, objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë është ndërtuar brenda zonës së lejuar të sigurisë.


Shkelja e distancës së lejuar u konfirmua edhe nga ana e UP-së, sipas tyre, pas angazhimit të një kompanie gjeodete është gjetur se distanca mes objektit dhe përçuesve të fundit të KOSTT është më afër sesa kushtet e lëshuara teknike.

“Me kërkesën e rektorit Sahiti, është angazhuar kompani e licencuar gjeodete, me qëllim të llogaritjes së distancës së objektit të ri të FBV-së ndaj projeksionit vertikal të përçuesit të skajshëm të linjës 400kV, LP. 420/1 NS. Kosova B-NS. Ferizaj 2. Sipas raportit teknik të pranuar, distanca ndërmjet katit përdhesë dhe kateve një , dy dhe tre është nën 7 m, respektivisht 6.79 m dhe 5.63 m. Bazuar në këto matje gjeodezike, KOSTT-i me shkresë zyrtare ka njoftuar UP-në se nuk janë respektuar kushtet teknike për objektin e ndërtuar të FBV-së”-thuhet në përgjigjen e UP-së.

“Rektori Sahiti me bashkëpunëtorët e tij ka realizuar takime me autoritetet e KOSTT-it dhe KESCO-s, të cilët i ka njoftuar përse afërmi me problemin, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje”-thuhet më tej në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës.

Nga UP nuk ka dhënë afat se kur mund të nis mësimi në objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

“Për arsyet si i përmendëm më lart, menaxhmenti i UP-së nuk mund të jap datë të saktë. Ajo çfarë mund të plotësohet është se nga situacionet e kontratës bazë kanë mbetur vetëm ndërtimi i trafostacionit dhe blerja e një gjeneratori, situacione që janë të lidhura dhe varen nga kyçja në rrjetin elektroenergjetik. Sigurisht, objekti do t’i nënshtrohet edhe procedurës së pranimit teknik dhe inventarizimit”, thuhet nga UP.

Rektori Sahiti me bashkëpunëtor ka realizuar takim edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me qëllim që t’i mundësohet FBV-së shfrytëzimi i hapësirave të Gjimnazit të Specializuar Matematikor edhe për vitin akademik 2022/2023.

Derisa, Sekretari i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Skënder Musa në një deklarim për Kallxo.com bëri të ditur se bazamenti i objektit ka nisur sipas kushteve të lëshuara, por devijimi ka ardhur në proces të ndërtimit.

“Po ka dal tash ky problemi me afërsinë e objektit dhe përçuesit të shtyllës së tensionit të lartë. Kur ka nis baza e ndërtimit të objektit gjithçka ka qenë në rregull, devijimi në distancë ka ndodhur në proces të ndërtimit, kjo është vërejtur pas matjeve që janë bërë më vonë”, ka thënë Musa.

Kurse, Blenda Fazliu, Kryetare e Këshillit të  Studenteve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në një deklarim për Kallxo.com tha se do mbajnë një protestë paqësore në shenjë pakënaqësie.

“Ne si studentë në shenjë pakënaqësie do mbajmë një protestë paqësore dhe pezullim të ligjeratave”.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka akreditim institucional, ndërsa të gjitha programet studimore në FBV kanë akreditim nga tri 3 deri në pesë 5 vite.  Pra, nuk ka ndonjë rrezik për humbje të akreditimit të programeve për shkak të kësaj gjendje.

FBV, aktualisht ka në shfrytëzim tri 3 objekte me një numër të konsiderueshëm të laboratorëve  (tek objeti i vjetër) dhe fermën eksperimentale, ku ofrohet mësimi praktik për studentë.

Një pjesë e ish objektit të Faklutetit të Bujqësisë tashmë është në rikostruktim dhe pritet të jepet në shfrytëzim për nevojat e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.

Ndërtimi i objektit të ri për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë ka nisur në vitin 2014  dhe është përcjellë me zvarritje të vazhdueshme në implementim të punëve.