Shkel masat anti COVID-19, Limaj mbledh dhjetëra qytetarë në odat e fshatrave të Drenasit e Malishevës
Listës së subjekteve politike që po i shkelin masat anti COVID-19, i është bashkuar edhe Nisma Socialdemokrate.
Kryetari i kësaj partie ka mbledhur dhjetëra persona në odat e fshatrave të Malishevës e Drenasit, duke mos respektuar as mbajtjen e distancës as të maskës.
Limaj ka publikuar foto nga tubimet në Llapushnik të Drenasit dhe në Panorc e Rud të Malishevës.
KALLXO.com raportoi sonte edhe për tubimin e PDK-së në Prishtinë.
Dy ditë më parë, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati kishte gjobitur me 2 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkak të mosrespektimit të masave gjatë një tubimi.
Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1.
Partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore ende pa nisur ajo zyrtarisht.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme priten të mbahen më 14 shkurt 2021.