Shkatërruan ulëset në “Air Albania”, arrestohen 3 tifozë, 9 shpallen në kërkim

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, ka shpallur në kërkim 9 si dhe ka proceduar penalisht 6 të tjerë për shkak se kanë shkatërruar ulëset në “Air Albania” dhe kanë hedhur sende të forta në fushë gjatë dy ndeshjeve më 21 dhe 22 shkurt.

Më datë 22 shkurt, në orën 17:00, në stadiumin “Air Albania” është zhvilluar ndeshja e futbollit Partizani-Bylisi dhe më datë 21 shkurt është zhvilluar ndeshja Tirana-Kukësi.

Gjatë zhvillimit të ndeshjeve, disa tifozë të këtyre skuadrave kanë hedhur sende të forta në fushë dhe kanë thyer ulëset e stadiumit.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, për ngjarjet e ndodhura, është bërë i mundur zbulimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet Sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasve: G. M., 39 vjeç, K. B, 26 vjeç, tifozë të skuadrës së Bylysit, si dhe L. G, 35 vjeç tifoz i skuadrës së Tiranës.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 9 tifozë të skuadrës së Tiranës dhe konkretisht shtetasit E.M, J.S, A.T, M.H, M.B, A.S, E.S, G.M dhe F.SH.

Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 tifozë të Tiranës konkretisht shtetasit J.K, A.LL, E.Z, T.A, A.R dhe D.T

Nga tërësia e veprimeve proceduarale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer veprime të dhunshme gjatë zhvillimit të ndeshjeve duke dëmtuar ulëset dhe hedhur sende të forta në fushën e futbollit “Air Albania” në Tiranë.

“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet Sportive” dhe “Shkatërrimi pronës””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit në Shqipëri.