- FOTO: KALLXO.com

Shkatërrimi i plantacioneve të drogës në rajonin e Dukagjinit - LIVE

Pamjet e arrestimit të 7 personave, të shkatërrimit të plantacioneve të drogës e të tharjes së bimëve narkotike në tavane dhe objekte të tjera të shtëpive në një aksion  në disa zona të Deçanit dhe Gjakovës po transmetohen në emisionin “Kallxo Përnime”.

Policia dhe Prokuroria e Pejës në një aksion ka shkatërruar disa plantacione të drogës në rajonin e Dukagjinit. Gjatë aksionit janë arrestuar 7 persona.

Aksioni është udhëhequr nga prokurori i shtetit Ersan Qavolli.

I përkrahur nga Njësia e antidrogës ata kanë nisur aksionin mëngjesin e hershëm të datës 28 shtator të këtij viti.

Në katër dhomat dhe në tavanin e një shtëpie në Baballoq zyrtarët policorë kanë zbuluar se po tereshin bimë narkotike kanabis.

Aksioni ishte shtrirë edhe në Gjakovë. Aty Policia gjen drogë të rrallë.

Prona e bastisur është në posedim të një shtetasi të Shqipërisë. Ekipet kanë zbuluar aty rroba që janë përdorur në plantacione të drogës e po ashtu një sasi të kokainës ngjyrë pembe, drogë e rrallë në vendin tonë.

Policia ka kryer bastisje edhe në fshatin Osek Hylë në kuadër të operacionit kundër drogës. Gjatë aksionit është sekuestruar një veturë, e cila dyshohet se është përdorur për bartjen e substancave narkotike.

Aksioni ka vazhduar edhe në fshatin Maznik. Në operacionin e Policisë kundër drogës në fshatin Maznik të Deçanit është hasur substancë narkotike duke u tharë, mjete të përdorura për prerjen e kanabisit e gjithashtu një sasi e gatshme e kanabisit.

Aksioni ka vazhduar jo shumë larg shtëpisë në fshatin Maznik ku janë shkatërruar dy plantacione me bimë narkotike. Shkatërrimi i substancave narkotike është bërë në prani të të arrestuarve.

Përfundimisht, Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 7 personave që u arrestuan në aksionin kundër narkotikëve në rajonin e Dukagjinit.