Hidrocentrali në Deçan FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkatërrimi i lumenjve në fokus të debatit të BIRN

BIRN i ka bërë bashkë aktivistë, ekspertë dhe zyrtarë nga e gjithë Kosova për të diskutuar dëmin mjedisor të shkaktuar nga nxjerrja e zhavorrit, ujërat e zeza dhe hidrocentralet.

Në një debat të organizuar nga BIRN të enjten, aktivistët nga e gjithë Kosova i vunë në pah disa nga shkaqet kryesore të dëmtimit të ambientit, duke përfshirë nxjerrjen e zhavorit, ujërat e zeza dhe funksionimin e hidrocentraleve.

Sipas aktivistëve, qeveritë e mëparshme kanë qenë faktor kontribues në dëmin e shkaktuar, duke qenë në linjë me biznesmenë të fuqishëm e jo  duke i mbrojtur burimet natyrore.

Svetozar Aleksiq, ambientalist nga Ranillugu vuri theksin tek dështimi për mbrojtjen e lumit Krivareka, ku janë shkaktuar pasoja të mëdha. “Aty bëhet nxjerrja e zhavorrit pa asnjë filtrim,” tha ai. “Peshqit po vdesin dhe ne po humbasim florën dhe faunën atje.”

FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish- kryeinspektori në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Fatmir Gërguri, pajtohet me Aleksiq lidhur me gjendjen e punëve në Krivareka.

“Ka kaq shumë degradim të lumit nga Kamenica në Ranillug për shkak të shfrytëzimit të paligjshëm,” tha ai. “Situata duket e pariparueshme”.

Gërguri shtoi se ndërkohë që nxjerrja e zhavorrit ishte e pashmangshme për shkak të përdorimit të tij të vazhdueshëm në ndërtim, ky proces duhet të kryhet përmes kanaleve të duhura dhe ato lokacione duhet të rehabilitohen pastaj.

Nxjerrja e paligjshme e zhavorit është një problem mbarëkombëtar. Sipas një hulumtimi të vitit 2019 nga BIRN, një total prej 1,200 hektarësh është dëmtuar nga procesi që prek shtretërit e lumenjve në të gjithë Kosovën, duke përfshirë Lumbardhin e Pejës, Erenikun, Desivojcën, Moravën e Binqës dhe Ibrin.

Aleksiq deklaroi se ai ende ka kujtime të freskëta kur lumi Krivareka mbushej me jetë. “Si fëmijë, mbaj mend se kishte guaca”, tha ai. “Tani nuk ka më.”

Ky aktivist shtoi se është “e palogjikshme” që inspektorët lokalë nuk po bëjnë asgjë për t’i mbrojtur ujërat dhe ekosistemet në rajonin e Gjilanit.

Krahas nxjerrjes së zhavorit, Krivareka gjithashtu rrezikohet nga ujërat e zeza të derdhura në të, ashtu siç derdhen në të gjithë lumenjtë në Kosovë. Sipas hulumtimit të BIRN, 98 përqind e ujërave të zeza nuk trajtohen dhe përfundojnë në lumenjtë dhe liqenet e Kosovës.

Naser Korça, Shefi i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit deklaroi se një projekt i madh i ujërave të zeza është duke u implementuar në këtë rajon, i cili duhet të ketë një ndikim pozitiv në nivelin e ndotjes.

“Ne kemi një sistem të trajtimit të ujërave të ndotura në vlerë prej 26 milionë eurosh i cili do të jetë një zgjidhje për problemet e ujërave të zeza në rajon,” tha ai.

BIRN vuri theksin tek historia e suksesit të një sistemi tjetër të trajtimit të ujërave të ndotura të ndërtuar në brigjet e liqenit Badovc për një kosto prej dy milionë eurosh.

Banorët lokalë konfirmuan për BIRN se shumë peshq ishin kontaminuar më parë nga ujërat e zeza. Sidoqoftë, pas instalimit të sistemit të trajtimit të ujërave të zeza, peshqit dhe fauna tjetër janë kthyer në liqen, duke demonstruar fuqinë e një investimi të mirëfokusuar.

Funksionimi i hidrocentraleve

Nuk është vetëm nxjerrja e zhavorit dhe ujërave të zeza që po ndotin lumenjtë e Kosovës. Në të gjithë vendin, ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve ka ndikuar në jetën e banorëve nga pjesa jugore në Kosovën perëndimore.

Kompania austriake KelKos ka ndërtuar dhe operon me disa hidrocentrale në zonën e Deçanit, e cila është pjesë e Parkut Kombëtar Bjeshket e Nemuna dhe e mbrojtur nga Ligji për Parqet Kombëtare.

Shpresa Loshaj, ambientaliste e njohur e cila kishte një proces gjyqësor për shpifje të ngritur kundër saj nga kompania KelKos në fillim të këtij viti, tha në këtë debat se lumenjtë në luginë kishin filluar t’i ngjanin një “shkretëtire”.

“Nuk mund të presim më gjatë,” tha ajo. “Lumenjtë tanë po mbeten pa ujë, veçanërisht Zalli i Rupës ku jam rritë.”

Dëmtimi i lumit në Deçan FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com

Loshaj shpreson që ndërrimi i qeverisë do ta përmirësojë situatën, pas një takimi me ministrin e ri të mjedisit Liburn Aliu. “Na u premtua se kjo do të jetë çështja e tyre kryesore dhe se licencat e kompanisë KelKos do të tërhiqen,” tha ajo.

Aktivistja në fjalë po ashtu tërhoqi vëmendjen për mbrojtjen e mjedisit në afërsi të Grykës së Rugovës si  dhe ndërtimin e pushimoreve dhe vilave që po ndërtohen me shpejtësi në këtë rajon. Ajo vuri në dukje se ky ndërtim i madh që po bëhet aty ishte afatshkurtër, duke deklaruar se ndërtimi i shumë vilave do ta dëmtojë vet turizmin që synon të prosperojë një ditë.

Fatos Lajçi nga OJQ Grupi i Veprimit të Përgjegjshëm ndaj Mjedisit, ERA, u pajtua me Loshaj, duke deklaruar se qeveritë lokale dhe qendrore shpesh ishin kontradiktore në qëllimet e tyre. “Zhvillimi i turizmit dhe shkatërrimi i natyrës nuk mund të shkojnë së bashku,” tha ai.

Lajçi gjithashtu vuri në dukje deklaratat nga institucionet qendrore që pretendojnë t’i japin prioritet bujqësisë duke qenë në kundërshtim me vendimet për t’i lejuar që lumenjtë të futen nëpër tuba për t’u përdorur pastaj në hidrocentrale. “Si mund të funksionojë bujqësia kur nuk ka ujë?” – pyeti ai në mënyrë retorike.

Kjo seri debatesh për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

 

Ky artikull është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight.