Shkarkohet zv/drejtori i RTK-së, Lorik Arifaj

Bordi i Radiotelevizioni të Kosovës ka aprovuar shkarkimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Lorik Arifaj, pas propozimit nga ushtruesi i detyrës se drejtorit gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Ky propozim për shkarkim ka ardhur si rezultat i dështimit të z.Arifaj në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive, si dhe ka vepruar në disa raste në kundërshtim me Ligjin për RTK-në, të cilat janë të pasqyruara tek e shkeljet e evidentuara në vendimin për shkarkim”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, Lorik Arifaj në një postim në facebook e ka quajtur arbitrar dhe tinëzar vendimin për shkarkimin e tij.

Arifaj shtoi se një vendim të tillë do t’a kundërshtoj përmes organeve  të drejtësisë.

“Sapo u njoftova për një vendim tinëzar dhe qyqar për shkarkimin tim nga Pozita e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, me rekomandim te U.D Drejtorit të Pergjithshem, nga Bordi i RTK-së, të cilët vendimet po i marrin kryesisht natën.Ky vendim krejtësisht arbitrar, mesiguri i bazuar ne trillimet e zakonshme, dyshoj që është vendim politik dhe si të tillë do ta kundërshtoj në Organet e Drejtësisë, dhe të jeni të sigurt se do ta fitoj”, tha ai.

KËTU mund të gjeni vendimin e shkarkimit.

Gjatë mbledhjes, bordi me shumicë votash miratoi raportin financiar të RTK-së për vitin 2021 dhe rapotin vjetor të punës për vitit 2021.

Fatime Lumi, anëtare e bordit votoi kundër raportit financiar të RTK-së për vitin 2021 duke thënë se nuk është pajtuar me qasjen e ish menaxhmentit të mediumit publik.

Ajo tha se të gjitha shpenzimet duhet të specifikohen në kategori dhe të mos ketë kategori të emërtuar, ‘të tjera’ për shpenzime.

Gjatë mbledhjes u vendos gjithashtu për shpalljen publike për rekurtimin dy anëtarëve të jashtëm për Komitetin e Auditimit të Brendshëm.

Në komunikatë bordi ka theksuar se është hera e parë që Komiteti i Auditimit të Brendshëm bëhët duke respektuar ligjet në fuqi.

“Në kuadër të kësaj, Bordi gjithashtu mori vendim për shpalljen publike për rekrutimin e dy anëtarëve të jashtëm për Komitetin e brendshëm të auditimit. Vlen të theksohet se është hera e parë që Komiteti i Auditimit të Brendshëm në RTK bëhet duke respektuar ligjet në fuqi, pasi që në të kaluarën përzgjedhja apo emërimi i anëtarëve të Komitetit të brendshëm të auditimit është bërë në mënyrë joligjore duke u bërë vetëm nga anëtarët e brendshëm të RTK-së respektivisht anëtarët e Bordit të RTK-së”, thuhet në komunikatë.