Foto: AAK Obiliq/Facebook

Shkarkohet vëllai i kryetarit të Obiliqit nga pozita e u.d. zëvendësdrejtorit në KEK

Bordi i përkohshëm i drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për shkarkimin e Enver Gashit, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit në këtë ndërmarrje publike.

Enver Gashi është vëllai i kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi. Vendimi për shkarkimin e tij u mor të martën më 22 qershor.

“Bordi i përkohshëm i drejtorëve (BPD) ka marrë vendim për lirim nga detyra të u.d. zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv Enver Gashi  dhe ka shfuqizuar vendimin paraprak të caktimit të z. Gashi në këtë detyrë”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbledhje u morën edhe disa vendime të tjera.

“BPD dhe Komisioni i Auditimit (KA) gjithashtu kanë marrë vendime për ndryshime të kuadrove edhe në pozitat e Sekretarit të Korporatës dhe Zyrtarit të Auditimit të Brendshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Ata kanë dhënë edhe disa arsye për vendimet e së martës.

“Me qëllim të ndryshimit të dinamikës së punës si dhe fuqizimit të proceseve në të cilat pritet të përballet korporata si në sferën e prodhimit po ashtu edhe në përmirësimin e fushës ambientale, ka vendosur si në vijim”, thekson njoftimi.

Enver Gashi para se të zgjidhej si ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit në KEK ishte asamblist në Kuvendin Komunal në Obiliq nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Po ashtu, ai ishte edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Një hulumtim më të gjatë mbi punësimin e vëllait të kryetarit të Komunës së Obiliqit mund ta gjeni më poshtë:

Vëllai i Xhafer Gashit dhe asamblisti i AAK-së emërohet U.D. i zëvendësdrejtorit në KEK

www.kallxo,com