Shkarkohet u.d. kryeshefi i “Trepçës”, Rafet Ibishi

Pas gati gjashtë muajsh në detyrë, është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”, Rafet Ibishi.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar vet Ibishi i cili tha se zyrtarisht ende nuk e ka pranuar vendimin për shkarkim.

“Po, është e vërtetë, Bordi më ka shkarkuar. Nuk kanë ardhur as në zyre me ma dhënë vendimin, ende në fakt se kam pranuar zyrtarisht”, tha në një përgjigje për KALLXO.com.

Si u.d kryeshef në këtë ndërmarrje, Ibishi ka refuzuar të nënshkruaj një memorandum mes “Trepçës” dhe Doganës së Kosovës për vendosjen e terminalit doganor në hapësirat e kësaj ndërmarrjeje. Refuzimin e nënshkrimit e ka arsyetuar Ibishi.

“Si pretekst është përdorur që unë nuk kam pranuar të nënshkruaj se tjetër nuk kanë pasur çfarë. Ata kanë kërkuar që ne si “Trepçë” me ua kryer disa shërbime por ne me i kryer këto shërbime ne kemi humbje. Mos nënshkrimi, nuk është vetëm vendim i imi por i gjithë stafit sepse kjo është në dëm të ndërmarrjes. Këto kundërshtime i kam pasur me bordin”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti kishte paralajmëruar vitin e kaluar që do të nis hapjen e terminaleve doganore shtetërore.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës kishte paraparë që një terminal doganor shtetërorë të hapet në hapësirat e “Trepçës”.

Bislimi: Devolli mbylli terminalin brenda Trepçës dhe e hapi në afërsi

www.kallxo.com