Logo e NP KRU" Prishtina"

Shkarkohet sekretari i KRU 'Prishtina', drejtori i bordit jep detaje

Sekretari i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sali Gjonbalaj është shkarkuar nga pozita e tij gjatë ditës së sotme.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i Bordit të KRU “Prishtina” Mentor Hyseni.

“Pra kanë qenë disa arsye, disa prej to janë edhe për shkak se përmbaruesit që kanë pasur punë me ndërmarrjen nuk i ka trajtuar drejtë dhe nuk i ka trajtuar barabartë, një arsye tjetër është edhe se në një konkurs të shpallur për zyrtar të lartë financiar, sekretari ka lëshuar gabime në konkurs ku më pas ka kufizuar edhe konkurencën”, tha Hyseni.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me anulimin e konkursit të zyrtarit të lartë financiar por edhe për konkursin për kryeshef të KRU ‘Prishtina’.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka raportuar se është shkarkuar edhe Auditori i Brendshëm i kompanisë së ujësjellësit pasi që i njëjti nuk kishte audituar fushat me rrezikshmëri të lartë të ndërmarrjes.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” gjatë kësaj jave pritet të hap tre konkurse për tri pozita kryesore.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Bordit të KRU “Prishtina”, Mentor Hyseni.

Sipas Hysenit tri pozitat që pritet të hapen konkurset janë për kryeshefin ekzekutiv, kryeshefin financiar dhe auditorin e brendshëm të KRU “Prishtina”.