FOTO ARKIVA: Klinika e Kardiokirurgjisë në Prishtinë

Shkarkohet nga detyra drejtori i Kardiologjisë, Imri Jashari

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka marrë vendim që të shkarkoj nga pozita e drejtorit të Kardiologjisë, Imri Jasharin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vet kryetarja e bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj- Gashi.

“Po, është e vërtetë. Komisioni disiplinor e ka ulë në pozitë, e ka shkarku nga pozita. Mundet të punojë si mjek. Të them të drejtën nuk i di arsyet Komisioni disiplinor ka vendosur ashtu”, tha ajo.

Tutje, ajo tregoi se edhe anesteziologut, Nehat Baftiut i është hequr një pagë “sigurisht ka pas arsye drejtori i përgjithshëm i ka dërguar në Komision Disiplinor”.

Në mënyrë që të kuptohen arsyet e shkarkimit të Jasharit dhe të heqjes së pagës ndaj Baftiut KALLXO.com ka provuar të kontaktojë drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Tutje, KALLXO.com ka provuar të flas edhe me ish-drejtorin Imri Jashari dhe anesteziologun Nehat Baftiun, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për këtë rast.