Parlamenti i Malit të Zi - Foto: VOA

Shkarkohet ministri malazez që mohoi gjenocidin e Srebrenicës

Parlamenti i Malit të Zi, të enjten në mbrëmje, shkarkoi ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviq.

Shkarkimi i tij u bë me propozimin e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq, të cilin propozim nga 81 deputetë sa ka parlamenti i vendit 43 votuan pro shkarkimit, kurse 27 ishin kundër. Këtë propozim e mbështeti edhe Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq, e cila gjendet në opozitë.

Kryeministri Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij mohues ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Gjatë një seance parlamentare më 26 mars të këtij viti, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin e vendit dhe në atë ndërkombëtar, ndërkaq që Leposaviqka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Kryeministri Krivokapiq e akuzoiLeposaviqin se si ministër ka qenë i detyruar që tipërgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.

“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi”, tha Krivokapiq.

Megjithatë, Leposaviq nuk pranoi të ofrojë dorëheqje, pasi u mbështet edhe nga një shumicë e deputetëve proserb që ushtrojnë pushtetin në Mal të Zi. Partia pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik, e mbështeti ministrin duke vlerësuar se “Leposaviq nuk tha asgjë që nuk është pozicioni i çdo serbi në Mal të Zi” . Ata paralajmëruanse shkarkimi i tij mund të shkaktojë rënien e Qeverisë malazeze ditëve në vijim./VOA