Shkarkohet kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefi, dy zëvendës kryeshefave ekzekutivë dhe zyrtarin kryesor të kompanisë.

Përveç Istrefit në komunikatën e lëshuar për media, bordi ka njoftuar se ka marrë edhe vendime të tjera si: ndërprerja e kontratës për zyrtarin kryesor të Financave dhe Thesarit, ndërprerjen e kontratave të dy zëvendëskryeshefave ekzekutiv.

Bordi ka emëruar Ushtrues detyre të Kryeshefit ekzekutiv si dhe ushtrues detyre të zyrtarit kryesor të financave dhe thesarit, por në komunikatë nuk janë treguar emrat.

Ndërsa për dy pozitat e zëvëndëkryeshefave bordi javën e ardhshme do të shqyrtojë efektshmërinë e këtyre dy pozitave.

Në këtë mbledhje bordi ka vendosur poashtu që të shpallet konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv si dhe zyrtarit kryesor të financave dhe thesarit, duke kërkuar nga ambasada angleze dhe shoqëria civile që të monitorojnë procesin e rekrutimit.

Istrefi ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës më 22 shkurt të vitit 2019.

Në vitin 2018 ka qenë në pozitën e drejtorit të Telekomit të Kosovës, ndërsa para se të emërohej në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, ishte ushtrues detyre në këtë pozitë.