Shkarkohet kryeshefi i kompanisë së mbeturinave 'Pastrimi'

Bordi i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, sot ka shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendin, me pretendimin se i njëjti ka keqmenaxhuar ndërmarrjen.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook se i njëjti është shkarkuar pasi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë.

“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se të njëjtat janë gjetje edhe të Zyrës Kombëtare të Auditorit, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve.

Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv ka hyrë në fuqi sot.