Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shkarkohet drejtori i Zyrës Ligjore në UP, Esat Kelmendi

Esat Kelmendi është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Zyrës Ligjore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prshtina”.

Në vendim thuhet se “Shfuqizohet Vendimi me nr. Prot. 118, datë 28.1.2022 i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për sistemimin  e z.Esat Kelmendi për pozitën e punës “Drejtor i zyrës ligjore”.

 

 

Në janar të vitit 2022 Këshilli Drejtues i UP-së kishte marrë vendim që Esat Kelmendi të mos jetë më në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në më pak se dy javë, ish rektori Naser Sahiti kishte emëruar Kelmendin në pozitën e drejtorit të Zyrës Ligjore.

KALLXO.com ka raportuar se për këtë vendim, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dhënë opinion se “Emërimi i tillë është në kundërshtim me dispozitën e nenit 18, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1. të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili te kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike, ka përcaktuar se:

– 1.Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:

– 1.1 të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2)vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitën udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”.

KALLXO.com ka raportuar se UP-ja që nga fundi i vitit 2017 e deri më 28 janar të këtij viti, ka qenë pa drejtor të Zyrës Ligjore.

Kjo pozitë ishte paraparë në vitin 2017, në bazë të rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Universitetit, por që nuk ishte emëruar asnjëherë ndonjë drejtor.

Kjo pozitë u ‘gjallërua’ këtë vit më emërimin e ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, nga tashmë ish- rektori, Naser Sahiti më 28 janar të këtij viti.

KALLXO.com kishte raportuar se Naser Sahiti në tetor të vitit 2021 kishte emëruar si ushtrues detyre sekretarin e këtij Universiteti, Esat Kelmendi, pa e njoftuar zyrtarisht Këshillin Drejtues të UP-së.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor 2021 dhe tashmë ish-rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet vakante e emëroi si U.D. Esat Kelmendin.

AKK konfirmon se pati shkelje nga ish-rektori UP-së në rastin e emërimit të Drejtorit të Zyrës Ligjore