Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkarkohet drejtori i Policisë së Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Shqipërisë është marrë vendim që të shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ai në një konferencë për media ka thënë se një vend i tillë lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit në Shqipëri. Sipas Çuçit, situata e krijuar kërkonte një menaxhim më të fortë.

“Sot Qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Shkarkimi i tij lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një menaxhim më të fortë” – ka thënë ministri i MPB-së në Shqipëri.

Ai tutje ka thënë se detyrat e Nanos do t’i ushtrojë nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj.

Dje, njëjtë si Vocajt edhe zëvendësdrejtorit të Policisë në Kosovë iu dorëzuan detyrat për menaxhimin e Policisë.

Kjo ndodhi pasi ish-drejtori, Samedin Mehmeti, kishte dorëzuar dorëheqjen e tij tek ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një postim në Facebook tha se dorëheqja e Mehmetit erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës” – thuhet tutje në njoftimin e Sveçlës.