Arkiv - Ngadhnjim Kastrati - Ish Drejtor Gjeneral i RTK-së

Shkarkohet drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në një mbledhje të mbajtur sonte ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, Ngadhnjim Kastratin.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kastrati.

Ai tha se njoftimin për shkarkim e mori nga anëtarët e bordit të RTK-së.

Kastrati tha se nuk ka qenë i informuar për procedurë të shkarkimit dhe as nuk ka pasur në rend dite pikë për shkarkimin e tij.

Ngadhnjim Kastrati ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së në prill 2019.

Mandati i Kastratit do të skadonte në prill të këtij viti.

Gjatë drejtimit nga Kastrati të televizionit publik kanë dalë në pah punësime në RTK të familjarëve të politikanëve, akuza nga parti të ndryshme se televizioni publik po bën propagandë për politikanë të caktuar, si dhe dyshime për keqpërdorim të buxhetit.

Po ashtu, ishte kontestuar edhe ligjshmëria e zgjedhjes së vetë drejtorit Kastrati.