Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkarkohet drejtori i marketingut të RTK-së

Arian Sahiti, drejtor i Departamentit të marketingut në Radiotelevizionin e Kosovës, është shkarkuar nga kjo pozitë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Mungesa e strategjisë, komunikimi dhe përformanca e dobët, bashkëpunimi i dobët me auditorin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe auditorin e jashtëm, janë disa nga arsyet e lirimit nga detyra të Tahirit, ka thënë Ahmetxhekaj.

“Po mund të jua konfirmoj. Arsyet janë të njëjtat që i kam thënë dhe prezentuar gjatë mbledhjes së bordit që ka qenë edhe drejtori i marketingut”, tha ai.

Arian Sahiti si drejtor i Departamentit të marketingut në RTK kishte qenë i ftuar në njërën nga mbledhjet e bordit këtë muaj.

Sahiti ishte kritikuar për mungesën e strategjisë dhe për mosbashkëpunim.

Në mbledhjen e 12 marsit ishte raportuar se RTK gjatë muajve janar dhe shkurt kishte mbledhur rreth 50 mijë euro nga të hyrat e marketingut apo dyfish më pak sesa ishte planifikuar.

Ahmetxhekaj ka thënë për KALLXO.com se Ariana Pallata është autorizuar në vend të Arian Sahitit.

Pllata aktualisht është analiste për audiencë dhe hapësirë komerciale.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Arian Sahitin por ka qenë i paqasshëm në telefon deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.