Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM
Shkarkohet Bordi i ‘TrainKos’-it, emërohet një i përkohshëm
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bordin e Ndërmarrjes Publike “TrainKos” dhe ka emëruar një Bord të përkohshëm me mandat prej gjashtë muajsh.
Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se aktualisht Bordi i kësaj ndërmarrjeje ishte vetëm me kryesuesin, pasi anëtarët kishin dhënë dorëheqje, disa për mospajtimet me kryesuesin e të tjerët për shkaqe personale.
Ajo dha edhe arsyet e shkarkimit.
“Neni 19.3 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike i kërkon Qeverisë të shkarkoj anëtarët e bordit të drejtorëve për të cilat ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat fudiciare, që përkufizohet si detyrë për të ofruar ndershmëri dhe besnikëri më të lartë ndaj ndërmarrjes dhe në interesin më të mirë të saj” – deklaroi Rizvanolli.
“Kryesuesi është përgjegjës për udhëheqjen e bordit duke siguruar efikasitetin në të gjitha aspektet e rolit të tij. Bordi i Ndërmarrjes Publike “TrianKos” është emëruar më 10 gusht 2022, bordi është vonuar për t’i kërkuar menaxhmentit përgjegjësi për rënien e vazhdueshme të performacës të evidentuara nga raportet e Auditorit për vitet 2016-2021 dhe nuk ka marrë masa për shpenzimet” vlerësoi tutje ministrja e Ekonomisë.
Kabineti qeveritar votoi për shkarkimin e Bordit përkatësisht, kryesuesit, Nol Deda.
“Tre anëtarët e Bordit kanë dhënë dorëheqje për mos pajtimet me kryesuesin. Dy anëtarë të tjerë kishin dhënë dorëheqje më herët për shkaqe personale, kështu kryesuesi ka mbetur i vetëm si anëtarë i bordit. Propozoj shkarkimin e Bordit, përkatësisht të kryesuesit Nol Deda” – tha Artane Rizvanolli.
Gjatë mbledhjes, u votua edhe për emërimin e një bordi të përkohshëm në “TrainKos”.
“Propozoj emërimin e një Bordi të përkohshëm në përbërje si në vijim, Riza Spanca, kryesues, Astrit Mehaj, Hasan Preteni dhe Shaban Neziri, anëtarë” – tha ajo.