Shkarkohet bordi i Hidrodrinit

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini Sh.A Pejë”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka arsyetuar këtë vendim.

“Natyra e të gjeturave nga hulumtimi dhe analizat e kryera në terren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, obligojnë qeverinë të marrë masa, andaj është rekomanduar që të shkarkohet bordi për të kthyer besimin në këtë ndërmarrje”, tha Kurti.

Edhe zëvendëskryeministri Bislimi tha që bordi ka dështuar t’i përmbush detyrat e tij.

“Raporti i IKShPK-së ka konstatuar se ndotja në disa pika në komunën e Deçanit është rezultat i dezinfektimit dhe klorizimit jo të duhur të ujit. Të gjeturat që kanë dalë në pah pas epidemisë në Deçan kanë ndikuar në rënien e besimit të qytetarëve në këtë ndërmarrje, faktet në raport janë shqetësuese për shkak që Hidrodrini është përgjegjëse për këtë”, tha Bislimi.

Emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës për bordin e ri të  “Hidrodrini Sh.A Pejë” janë: Bajram Mustafa, kryesues, Zamire Beqiri anëtare, Luljeta Latifaj anëtare dhe Abedin Neziraj, anëtar.