Naser Sahiti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkarkimi i rektorit të UP-së, Sahiti thotë se e gjitha ishte e ‘montuar’

Ndonëse para gazetarëve nuk pranoi të prononcohej për shkarkimin e tij, ish-rektori tashmë, Naser Sahiti është deklaruar në lidhje me vendimin e Këshillit Drejtues, në emisionin televiziv “Java me Rronin”.

Megjithatë, Sahiti ju ka kërkuar falje ndaj mediave që nuk u prononcua pas aktit të shkarkimit të tij.

“Shfrytëzoj rastin të ju kërkoj falje mediave sot që nuk kam mundur të prononcohem pas aktit të shkarkimit, për arsye se kemi dashtë me ruajtë që kjo bisedë të jetë më ekskluzive, jo pse kam dashur të nënçmoj ndonjë prej mediave, përkundrazi i vlerësoj shumë. Gjatë kohës sa kam qenë rektor, kanë qenë 99% korrekt me neve, për çka i falënderoj shumë”- ka deklaruar ish-rektori.

Sahiti shkarkimin e tij, e ka quajtur si proces të montuar e të pabazuar.

“Veç një thotë, se krejt kjo storje është çështje e montuar, duke filluar nga mënyra e thirrjes së mbledhjes, filluar nga formulimi i pikës rreth shkarkimit të rektorit, vetëm ajo nëse analizohet do të thotë, raportimi lidhur me menaxhimit dhe marrja e vendimeve përkatëse që i takojnë këshillit drejtues. Nuk mund të shkarkohet rektori me këtë pikë të rendit të ditës”- është deklaruar ai.

Ish rektori ka folur edhe për komentet e Këshillit Drejtues, për të cilat tha se mënyra se si janë shkruar dhe përfunduar, sipas tij kishin qëllim që përfundimi të jetë negativ.

Për komentin e gjetjeve të auditorit, Sahiti ka thënë se zyrtarë brenda Univeresitetit të Prishtinës i kanë thënë se “raporti nuk ka qenë kurrë më i mirë për UP-në, se ky që ka ardhë”.

“Nëse përgjysmë m`i ke zvogëlu ato të gjetura, ai është sukses, nuk është mangësi. Pavarësisht nga kjo, në momentin kur ka dalë qeky raport, zyrtarët që i kemi brenda UP-së, pa i pyt unë fare, kanë ardhë: ‘Rektor ky raport nuk ka qenë kurrë më i mirë për UP-në, se ky që ka ardhë’. Natyrisht që s’kemi qenë të kënaqur me të dhe kemi fillu me i adresu, por është jo reale me pritë që raporti me dalë me 0 gjetje, sdo koment”- është shprehur ish-rektori.

Sahiti për komentin për mosaktivizimin e kartelës së performancës së stafit akademik, ka thënë se e ka pasur në programin e tij si rektor.

“Në program timin si rektor, e kam pasë aty ‘futja e kartelës së performancës në përdorim për personelin akademik’, kurrë nuk ka ekzistu kjo çështje më përpara në UP, përpos vlerësimit që i është bërë në çdo katër vite. Tash bazuar në atë program, kemi marrë veprime konkrete”- tha Sahiti.

Ai ka treguar edhe për veprimet që ka ndërmarrë në lidhje me këtë çështje.

“E kemi futë në agjendë të rastit, pa e pas fare në agjendë. Kemi marrë ekspertizë nga jashtë, nga Estonia, e kanë përgatitë një “road map” se si duhet të bëhet procesi i vlerësimit të performancës, e kemi pasë një ëorkshop, dekanët, anëtarët e Këshillit Drejtues nga senati, asnjë nga ministria e arsimit. Të gjithë janë tregu të interesuar”- ka theksuar Sahiti.

“Kemi vazhdu me formimin e grupit i cili e ka për qëllim me draftu rregulloren, që do të aprovohet në senat. Rregullorja është në fund, deri në fund të këtij viti plani ka qenë me hedhë në senat dhe me e aprovu, se në rregullore parashihen procedura se si do të zbatohet kartela e performancës në cilin fakultete. Prandaj kjo është çështje e kryer. Për herë të parë në UP në menaxhmentin tim, pra kjo nuk është një e gjetur, por është rezultat, po ata kanë pretendu me paraqit si të gjetur”- shtoi ai.

Në lidhje me komentin për mosadresimin e rënies së vazhdueshme të numrit të studentëve, ish-rektori tha se ka rënie të vazhdueshme të interesimit të maturantëve vit pas viti duke shtuar se këtë vit kanë bërë një fushatë për promovimin e programeve të UP-së.

“Të gjithë e dëgjojmë që kemi rënie të vazhdueshme të numrit të maturantëve vit pas viti. Për shkak të rënies e patëm këto ditë edhe shpalimin e strategjisë, ku ministria ka konstatu se për pesë vitet e fundit ka pasë rënie të vazhdueshme të numrit të studentëve në të gjitha universitet publike, pak më pak në ato private se ashtu edhe ato kanë pasë më pak student”- shpjegoi Sahiti.

“Këtë vit kemi bo një fushatë më të mirë të promovimit të programeve tona, kemi arritë që interesimi i kandidatëve mos me vazhdu duke rënë, këtë vit kemi pas më shumë të interesuar se sa që ka pas në vitin e kaluar”- tha në mes tjerash, ish-rektori Sahiti.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është shkarkuar nga pozita e tij .

Në një votim të fshehtë, nga nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues (KD) të UP-së vetëm një abstenoi për largimin e Sahitit nga pozita e rektorit.

Kryesuesi i KD-së, Altin Sahiti, konfirmoi që tetë vota ishin për shkarkim të rektorit e vetëm një abstenim.

Menjëherë pas publikimit të rezultatit të votimit, Altin Sahiti bashkë me nënkryesuesen e KD-së, Arbëresha Nela Turjaka, dolën para mediave dhe njoftuan se Luljeta Plakolli Kasumi është emëruar ushtruese e detyrës së rektorit.

Plakolli-Kasumi nga sot e deri në zgjedhjen e rektorit të ri do të mbajë pozitën e ushtrueses së detyrës së rektores së UP-së.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së rektorit, nënkryesuesja njoftoi se ka kërkuar që konkursi për rektor të UP-së të shpallet që nga e hëna.

Shkarkimi i rektorit të UP-së, krejt çka dihet deri më tani