Shkarkimi i ish-nënkryetares Dragana Miletiq - “Beba” e cila dyshohet se konsumoi lëndë narkotike në komunë

Ish-nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Dragana Mileqit e njohur me nofkën “Beba” është shkarkuar sepse e njëjta dyshohet se ka konsumuar drogë në këtë komunë.

“Na nuk e dijmë a ka qenë në komunë a nuk ka qenë në komunë. Ajo edhe në polici ka thënë që ‘mua më kanë përdorë janë mundu me më shantazhuar’, por nuk më ka interesu ajo pjesë, e kam shkarku. Jo, nuk e ka mohu që ka pi drogë”- tha Hetemi.

Në vend të saj është emëruar si nënkryetare Marina Bogojeviq.

Ndryshe, ish-nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq – “Beba” dyshohej se ka konsumuar drogë në komunë, në janar të këtij viti.

Media Nacionale më 29 janar kishte publikuar një video në të cilën sipas tyre, shihen zyrtarë të Komunës së Leposaviqit, përfshirë edhe nënkryetaren Miletiq, duke konsumuar substanca narkotike.

I njëjti medium kishte publikuar një videoincizim tjetër, ku disa persona shihet se janë duke konsumuar lëndë që dyshohet se është drogë. Në tavolinë ishte edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës i suspenduar.

Një zyrtar policor në Leposaviq është suspenduar pas publikimit të videoincizimeve në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të Komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të Komunës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, që të nisë hetimet për substancat narkotike brenda Komunës së Leposaviqit.

Përmes një komunikate për medie, Prokuroria e Mitrovicës kishte theksuar se Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti.