Shkarkimi i bordit, reagon drejtori i përgjithshëm i RTK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar sot pas shkarkimit të tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Kastrati tha se ajo çfarë ndodhi sot me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së është precedent i rrezikshëm për RTK-në dhe të ardhmen e mediumit publik.

“Armend Muja dhe Doarsa Kica e dinë që argumentet e tyre të paraqitura para deputetëve për shkarkimin e Bordit nuk qëndrojnë, por e kanë obligim të kryejnë misionin, dhe kjo është e frikshme për demokracinë! Nesër kush e di çfarë vendimi marrin”, tha Kastrati.

Kastrati thotë se RTK është audituar, poashtu ai ka deklaruar se raporti i performancës dhe ai financiar i vitit 2020 është raport që është vlerësuar me nota të mira nga auditori i pavarur.

Kastrati shtoi se është falënderues për bashkëpunimin që ka pasur me këtë bord.

“Unë do të jem falënderues për bashkëpunimin që kemi pasur me këtë Bord, pavarësisht tentimeve të politikës për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve dhe inskenimeve të situatave. Përgjegjësi para publikut dhe ligjit, PO. Nënshtrim dhe përulje JO”, përfundoi Kastrati.

Gjatë ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar tetë anëtarët e Bordit të RTK-së Sali Bashotën, Agron Gashin, Lirim Gecin, Ilir Bytyçin, Albinot Malokun, Bajram Mjekun, Petrit Musollin dhe Fadil Miftarin.

Kryesuesja e komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal Doarsa Kica, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka përmendur arsyet, sipas saj, pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së.

 

Doarsa Kica tregon arsyet se pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së