Avdullah Hoti - LDK

Shkarkimi i Avdullah Hotit, reagon Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk do të veprojë njëanshëm duke i tërhequr ministrat e LDK-së nga ‘qeveria në detyrë’.

Këtë reagim Mustafa e ka bërë pasi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti një orë pas rrëzimit nga Kuvendi, e shkarkoi zëvendëskryeministrin në detyrë Avdullah Hotin.

“Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do ti tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje. Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua mbrëmë, nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.

Kurse, kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas mocionit ndaj tij ka shkarkuar nga  posti i zëvendëskryeministrit në detyrë​ të LDK-së Avdullah Hotin.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti”, thuhet në komunikatë.

Bie Qeveria Kurti