Shkarkimet në Telekom, Demir Limaj e pret Antikorrupsionin

Demir Limaj, Drejtor i Shitjes në Telekomin e Kosovë po e pret një vendim që do ta determinojë nëse do të vazhdojë të punojë në Telekomin e Kosovës.

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ishte pranuar Profesor Asistent në Universitetin Publik të Prizrenit, në korrik të këtij viti.

Në atë kohë, Limaj kishte thënë për KALLXO.com se do të kërkojë interpretim nëse i lejohet të mbajë pozitën në universitet dhe pozitën menaxheriale në Telekom.

Sot në media u raportua se Limaj është shkarkuar nga pozita  e tij në Telekom, megjithatë ai këtë e mohoi.

Limaj përsëriti se po pret vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit nëse i lejohet mbajtja e dy pozitave.

“Këto janë rregulla ligjore institucionale. Unë i kam shkru Agjencionit Antikorrupsion, jam duke pritur përgjigje, në mes të universitetit dhe Telekomit unë e zgjedhi universitetin, këtë  e kam deklaruar fillimisht. Përgjigjen e antikorrupsionit po e pres, kaq.Mu ligji ma determinon lirimin e pozitës ose jo. Përkundër kërkesës Kryeshefit Ekzekutiv me e mbajt pozitën për shkak të performancës së mirë, unë pres vendimin”, tha Limaj.

Në anën tjetër, Bedri Istrefi tha se po presin vendimin e Limajt nëse do të zgjedhë të mbajë angazhimin menaxherial në Telekom.

“Demiri nuk është shkarkuar, ai është i angazhuar si profesor në Universitetin e Prizrenit. Hala nuk ka marrë vendim me liru pozitën, mirëpo ka shpreh gatishmëri me e liru pozitën por nuk e kam leju me liru pozitën për shkak të punëve të mira që i ka bërë sa ka qenë drejtor. Nuk e kam aprovuar me e liru pozitën, jemi në fazën si jemi dhe dy angazhime me i majtë nuk mundesh me e kry punën në të dyjat mirë kshtuqë vendimi i takon atij a do të jetë në Telekom apo në Universitetin e Prizrenit”, tha Istrefi.

Së paku pesë persona në divizionin e shitjes në Telekomin e Kosovës janë shkarkuar me vendim të Kryeshefit të kësaj ndërmarrje.

 

Telekomi i Kosovës ndërpret mbi 80 kontrata mbi vepër