Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Shkarkimet e Kodrës që po i anulon KPMSHCK-ja
Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent (AME) që nga viti 2018, është shkarkuar dy herë nga kjo pozitë.
Herën e parë, më 15 korrik 2022, Kodra ishte shkarkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa herën e dytë, më 13 tetor 2022, ai është shkarkuar nga vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Në të dyja rastet, Kodra përmes avokatit Faton Fetahu ka bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe ka dalë triumfues.
KPMSHCK edhe në rastin e parë e edhe në të dytin ka anuluar vendimet e Kurtit e të Sveçlës.
Në rastin e korrikut, Këshilli madje kishte obliguar MPB-në që Kodrën ta kthejë në vendin e tij të punës dhe diçka e tillë ishte bërë.
Vetëm 13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë prapë vendimin për suspendimin e tij pas vetëm një muaji.
Përderisa në rastin e tetorit, Këshilli ka obliguar drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë që në pajtim me dispozitat e ligjore në fuqi të emërojë ankuesin në një pozitë të mesme drejtuese apo profesionale në kuadër të Shërbimit Civil.
Në të dyja rastet, KPMSHCK-ja e ka obliguar MPB-në që Kodrës t’ia kompensojë të gjitha pagat e parealizuara gjatë kohës sa ai ishte i shkarkuar.
Kodra pozitën e drejtorit në AME e pranoi më 22 janar 2018, përderisa mandati i tij 5-vjeçar pritet të përfundojë pas katër ditësh, më 22 janar 2023.
Çka ndodhi në rastin e parë të Kodrës?
Dita e 15 korrikut e vitit të kaluar e kishte gjetur Kodrën të liruar nga pozita e tij udhëheqëse në AME.
Brenda afatit ligjor, Kodra ishte ankuar në KPMSHCK ndaj vendimit, për të marrë më pas përgjigje pozitive nga Këshilli.
Pas afro dy muajve që nga rasti i korrikut, më 7 shtator 2022 Këshilli kishte anuluar vendimin e të parit të MPB-së, Xhelal Sveçla, duke kërkuar nga i njëjti që brenda 15 ditësh ta kthejë prapë Kodrën në punë.
Sveçla më 20 shtator 2022 e kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.
Asokohe, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’i kompensohej paga nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.
E gjithë kjo kishte ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.
Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga KALLXO.com, ishte thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.
Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.
Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesë në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.
Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.
Në këto përgjigje, sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.
Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.
Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e kishte cilësuar si të bazuar.
Rasti i dytë i Kodrës që nuk e kthen më atë në pozitën e drejtorit
Rasti i parë ishte kryer, Kodra iu ishte kthyer prapë pozitës së tij, por e ushtroi për vetëm 24 ditë.
Kjo pasi, më 14 tetor 2022, kësaj radhe jo Sveçla, por vetë kryeministri Albin Kurti kishte nënshkruar vendimin e shkarkimit të Kodrës.
Në vendim ishte thënë se Fadil Kodra është shkarkuar për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale.
Mirëpo, lidhur me këtë rast kishte reaguar edhe avokati i Kodrës, Faton Fetahu, i cili në një deklaratë me shkrim kishte thënë se vendimi është i kundërligjshëm.
Fetahu kishte thënë se konsideron se ky vendim përbën një hakmarrje të ulët që ka për qëllim njollosjen e figurës dhe reputacionit të tashmë ish-drejtorit të AME-së, Fadil Kodra.
Fetahu tutje kishte shtuar se vendim është marrë me qëllim të përndjekjes së Kodrës pasi, sipas tij, ky i fundit nuk i është nënshtruar vullnetit politik të ministrit Xhelal Sveçla dhe kryeministrit Albin Kurti.
Vendimi i Kurtit ishte marrë pasi ministri Sveçla kishte nxjerrë një vendim për suspendimin e Kodrës nën dyshimin se ky i fundit ka kryer vepër penale. Vendimi do hynte në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kurti.
Në vendimin e nxjerrë nga Sveçla ishin dhënë katër arsye se pse Kodra duhet të suspendohet nga pozita e drejtorit të AME-së.
Në vendimin e Ministrisë së udhëhequr nga Sveçla ishin renditur katër pikat se pse u mor vendimi për largimin e Kodrës nga pozita që ai mbante, pika të cilat u thanë se lidhen me dyshimet për kryerje të veprës penale.
Në pikën e parë u tha se është keqpërdorimi i pozitës me rastin e ndarjes së parregullt të shtesave të zjarrfikësve për pagesën e orëve shtesë, ndërrimit të natës dhe festave.
Në pikën e dytë u tha se është keqpërdroimi i pozitës dhe cenimi i të drejtave me rastin e moskryerjes së kontrollit të rregullt mjekësor të zjarrfikësve të punësuar në AME.
Në pikën e tretë u tha se është keqpërdorimi i pozitës, përkatësisht shkeljen e ligjit lidhur me punësimin e zyrtarit me rastin e tejkalimit të kritereve në konkursin publik për zjarrfikës.
Dhe në pikën e katërt u tha se është keqpërdorimi i pozitës përmes përdorimit të mjeteve financiare të destinuara për rekrutimin e operatorëve teknik duke angazhuar stafin tjetër administrative.
Megjithatë, KPMSHCK dje prapë ka vendosur që këto dy vendime prapë të anulohen ndërsa ankesa e Kodrës të aprovohet si e bazuar.
Këshilli ka marrë parasysh edhe faktin që Kodrës mandati i drejtorit të AME-së i përfundon më 22 janar 2023, ka obliguar drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë që ankuesin fillimisht ta emërojë në një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese dhe pastaj në pozitë profesionale.