Shkarkime të reja në Telekom, Bedri Istrefi largon edhe disa menaxherë

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës ka shkarkuar sot edhe tre persona në pozita menaxheriale në këtë ndërmarrje.

Bedri Istrefi që kishte paralajmëruar për shkarkime në Telekom sot njoftoi se ka shkarkuar dy menaxhera regjionalë dhe një  zyrtar të lartë të shitjes.

Istrefi tregoi për KALLXO.com se ka shkarkuar menaxherët regjionalë, Agron Lleshi në Gjakovë dhe Ilir Halili në Gjilan. Sipas tij arsyet për shkarkim kanë të bëjnë me performancën e tyre në punë.

Ai tha se ka shkarkuar edhe një zyrtar të lartë të shitjes, emri i të cilit nuk është bërë publik ende.

Edhe dje, Kryeshefi i Telekomit kishte shkarkuar pesë zyrtarë në divizionin e shitjes.

Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit të Shitjes në këtë ndërmarrje, Demir Limaj po e pret një vendim që do ta determinojë nëse do të vazhdojë të punojë në Telekomin e Kosovës.

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ishte pranuar Profesor Asistent në Universitetin Publik të Prizrenit, në korrik të këtij viti.

Dje, ai tha se po pret vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit nëse i lejohet mbajtja e dy pozitave.

Telekomi i Kosovës ndërpret mbi 80 kontrata mbi vepër