Shkolla 'Kajtaz Ramadani', Kijevë

Shkaku i energjisë elektrike, një shkollë në Kijevë të Malishevës mbetet pa ngrohje

Të hënën, më 23.12.2024, në shkollën “Kajtaz Ramadani” në Kijevë të Malishevës nuk u mbajt mësimi.

Kjo për shkak të energjisë elektrike të dobët, e cila pamundësoi ngrohjen në këtë shkollë.

Mësimdhënësi Hasan Toplana, për KALLXO.com, ka thënë se KEDS-i e Komuna po ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

“Që 25 vjet jemi katastrofë ne në daljen për Kijevë. E kemi ndërpre sot mësimin, për shkak se edhe prindërit i morën nxënësit. Një delegacion shkuam në KEDS, por s’i gjetëm kryesorët aty. E treguam shqetësimin tonë, ata e bartën fajin te Kryetari i Komunës. Ata te këta, të tjerët te Qeveria. Ne jemi palë e dëmtuar, qe 25 vjet. Kemi energji elektrike të dobët. Ngrohtorja e shkollës është me rrymë.” – deklaroi Toplani.

Nga Komuna e Malishevës, në anën tjetër, kanë thënë se kanë investuar në shkolla – përfshirë edhe në ngrohje.

Tutje, në një përgjigje me shkrim, për KALLXO.com nga kjo Komunë, thonë se janë angazhuar së bashku me KEDS, KESCO dhe ZRRE për problemin e fuqisë së energjisë elektrike, por që furnzimi me energji elektrike nuk është përmirësuar.

“Furnizimi me energji elektrike, nga ana e Sistemit të furnizimit, është e dobët në këtë periudhë dhe kalldaja ka probleme në funksionim e saj, sepse i duhet rrymë normale e stabile. Kalldaja, nuk mund të funksionojë as me gjeneratorë, pasi gjeneratorët nuk japin rrymë stabile.” – thuhet në mes të tjerash në përgjigjen me shkrim.

KALLXO.com, më 23.12.2024, ka dërguar pyetje edhe në KEDS, por që, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Kjo kompani përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se në Kosovë ka mbingarkesë të konsumit të energjisë elektrike, e cila po shkakton telashe në disa zona.

Sipas tyre, furnizimi po bëhet te mbi 95% e konsumatorëve.