foto: Ilustrim

Shkaktuan panik për helmim të ujit, arrestohen dy persona në Ferizaj

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka njoftuar se ka shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, dy persona që dyshohet se kanë përhapur panik përmes rrjeteve sociale se është helmuar ujësjellësi në Ferizaj.

Shoqërimi i këtyre dy personave për në Polici është bërë pas denoncimit të qytetarëve se të dyshuarit pa pasur asnjë argument kanë shkaktuar panik tek qytetarët për helmimin e ujësjellësit në Ferizaj.

“Personi me inicialet L.J ( M/K) 30 vjeçar në rrjetet sociale me video incizim, ka bërë thirrje publike /panik: ‘Përshëndetje krejtve, desha me ju informu që bëni kujdes, mos të pini ujë të qeshmës, sepse kanë ardh lajme se edhe në Ferizaj që ka njerëz të helmuar, kështu që kujdesuni për veten, respekt L.J’. Personi tjetër, me inicialet A.T ( M/K) i moshës 28 vjeçar, ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, thirrje: ‘Kujdesni shuuuuum t’madh kur pini Ujësjellës se veç sa kanë fillu mu helmu edhe n’Ferizaj!!’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka ftuar qytetarët që mos të bien pre e keqinformimeve por të bazohen vetëm në informatat të cilat kanë ardhur nga organet kompetente, në këtë rast, nga KRU “Bifurkacioni” Sh. A në Ferizaj.

Sipas njoftimit të policisë, ky rast, në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore.