Shkaktoi aksident, presidentja Osmani ia fal të dënuarës pjesën e mbetur të dënimit me burg

Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se e para e shtetit bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka nënshkruar sonte, më 29.01.2025, dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.

E dënuara ka mbajtur një vit e dy muaj burg, kurse do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.

Vendimi për lirimin e saj, siç thuhet në njoftim, është bërë ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj. Mes tjerash, theksohet se ky vendim është marrë bazuar edhe në faktin se Cakolli nuk ka kryer asnjë vepër penale më parë.

“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për “Rrezikim të Trafikut Publik”, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”- thuhet në njoftim.

Presidenca thekson se dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot (29.01.2025) në tavolinën e presidentes.

“Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”- theksohet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.