Shiu e breshri në Prizren, dëmet bujqësore mbi 1 milion euro

Shiu i rrëmbyeshëm dhe breshri që ka rënë ndërmjet 19 dhe 23 majit kanë shkaktuar dëme të mëdha bujqësore në Komunën e Prizrenit.

Si pasojë e shiut të madh kishte paru edhe vërshime, duke vërshuar arat dhe shkaktuar dëme të mëdha në të mbjella dhe serra.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit Egzon Elshani ka njoftuar se një Komision i përbashkët ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Bujqësisë kanë përgatitur një raport përfundimtar për vlerësimin e dëmeve në teren.

Sipas këtij raporti, Komisioni ka evidentuar dëme në 393 fermerë ku shuma e përgjithshme e dëmit arrin vlerën prej 1 milion e 93 mijë euro.

Ky raport, sipas drejtori Elshani, i është dërguar Ministrisë së Bujqësisë, e cila do të jetë përgjegjëse për kompensimin e dëmeve, dhe ky kompensim pritet t’u bëhet fermerëve në mënyrë që ata të rifillojnë punën sa më parë.

Evidentimi i dëmeve është bërë nga 22 deri me 25 maj, në Medvec, Zojz, Randobravë, Krushë e Vogël, Sërbicë e Poshtme, Landovicë, Nashec, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnje, Caparc, Piranë, Gjonaj dhe fshatrat përreth.

Edhe në Komunën e Mamushës më 19 dhe 20 maj kishte rënë breshër i madh që kishte shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Në një raport të përgatitur nga  një Komision në Komunën e Mamushës vlerësohet se dëmi i shkaktuar nga breshëri dhe të reshurat kap shumën prej 2,207,000 euro.