Shitjet e ngrohësve elektrikë rriten në Gjermani - shkak frika nga kriza dimërore e gazit

Kohëve të fundit, shitjet e ngrohësve elektrikë janë shtuar në Gjermani ndërkohë që qytetarët e tajeshëm po përgatiten për një krizë të mundshme energjetike këtë dimër.

Rreth 600,000 ngrohës u shitën në Gjermani në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, sipas kompanisë së kërkimit të tregut GFK – një rritje prej 35% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Me gjithë këtë, ekspertët kanë bërë paralajmërime kundër kësaj ideje, duke thënë se është më e shtrenjtë të përdoret një ngrohës elektrik dhe se përdorimi i njëkohshëm i tyre mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë.

Gjermania është shumë e varur nga importet ruse të energjisë dhe reduktimet e përsëritura të gazit nga Gazprom kanë ngjallë frikë se Rusia mund t’i ndërpresë krejtësisht furnizimet me gaz në përpjekje për të fituar levërdi politike mbi Evropën, e cila ka vendosur sanksione të gjera kundër Rusisë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Gjermania po përballet me një “krizë me gaz” dhe paralajmëroi se objektivat e magazinimit për dimër janë në rrezik për shkak të pakësimit të dërgesave nga Rusia.

Frika bëhet edhe më e madhe pasi Berlini zyrtar ka bërë të ditur se objektivi i mbushjes së kapaciteteve të magazinimit të gazit në 90% deri në muajin dhjetor nuk do të jetë i arritshëm pa masa të mëtejshme.

“Situata është serioze dhe dimri do të vijë,” ka deklaruar ministri i ekonomisë Robert Habeck. “Reduktimi i furnizimit me gaz është një sulm ekonomik ndaj nesh nga [Presidenti rus Vladimir] Putin.”  

Sipas ekspertëve të atjeshëmm, Gjermania do të përballet me ‘30% mungesë’ të gazit. Ndërkohë, çmimet e gazit janë rritur në të gjithë Evropën pasi Rusia i ka reduktuar furnizimet në kontinentin evropian përgjatë gazsjellësit Nord Stream. Sipas Bloomberg, çmimet e energjisë elektrike janë rritur me 19% në Gjermani vetëm në javën e parë të korrikut dhe pothuajse janë trefishuar këtë vit.

Dërgesat e gazit në Gjermani përmes Nord Stream, burimi kryesor i vendit të gazit rus, janë shkurtuar ndjeshëm nga Moska, gjë që ajo thotë se është për “arsye teknike”, ndonëse qeveria gjermane thotë se ky është një “vendim politik” që synon të ndikojë në përballjen midis Moskës dhe vendeve perëndimore për luftën në Ukrainë.

“Me shumë gjasë, do të kemi 30% mungesë të gazit natyror këtë dimër,” thotë eksperti i naftës dhe gazit Thomas O’Donnel, gjë që nënkupton se jo të gjithë do të kenë qasje në gaz dhe do të ketë racione dhe shpërndarje”.

Kjo krizë vjen pasi vendet e tjera të BE-së po prezantojnë masa për ta ulur konsumin e energjisë dhe për ta reduktuar varësinë e tyre nga gazi rus.

BE-ja u ka kërkuar të 27 vendeve anëtare që ta ulin konsumin e tyre të gazit me 15% përpara asaj që pritet të jetë një dimër sfidues.

Në Spanjë ka patur polemika të ashpra  kur qeveria e atjeshme ndaloi uljen e ajrit të kondicionuar nën 27°C në një përpjekje për ta ulur konsumin e energjisë, ndërkohë Franca i ka urdhëruar dyqanet me ajër të kondicionuar t’i mbajnë mbyllur dyert e tyre.

Ekspertët energjetikë kanë për Euronews se blerja e ngrohësve elektrikë mund t’u kushtojë shtrenjtë konsumatorëve sepse, mesatarisht, kushton tri herë më shumë për të funksionuar një ngrohës me ventilator sesa një ngrohës me gaz për të njëjtën sasi nxehtësie. Për më shumë, sipas ekspertëve në fjalë, mund të shfaqet një problem shtesë sepse në rast se shumë nga këto pajisje ndizen në të njëjtën kohë, atëherë ekziston rreziku i ndërprerje masive të energjisë elektrike./Euronews