Shitja e aseteve pa tender publik, cilat janë planet e bordit të AKP-së?

Raporti i Auditimit të Brendshëm i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se rreth 1900 ishte numri i kërkesa për blerje me negocim direkt deri në dhjetor të vitit 2020. Nga ky total, numri i përgjithshëm i kërkesave të shqyrtuara ishte 663. Si përfundim, 305 kërkesa në formë të raporteve përfundimtare ishin aprovuar nga bordi i drejtorëve për shitje me negocim direkt, pa tender publik.

Shitjet përmes negocimit direkt bëhen në rastet kur AKP-ja nuk hap valë të privatizimit, mirëpo hynë në negociata me një blerës. Caktimi i çmimit bëhet në negociatat që zhvillohen në mes të AKP-së dhe blerësit dhe jo në bazë të konkurrencës.

Për këtë çështje është pyetur edhe kryesuesi i bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci, në emisionin “KallxoPernime” , i cili në këtë post është nga gushti i vitit të kaluar.

Mikullovci ka thënë se ndonëse se gjetjet e auditorit janë të periudhës kur nuk kanë qenë në AKP, do t’i marrin parasysh seriozisht.

Ai tha se janë duke e përgatitur një rregullore të re “për shkak të mundësive të shumta për keqpërdorime”. Sipas tij, e kanë ndërpre procedurën e negocimit direkt.

“Po mundohemi me pru një rregullore sepse këtu kemi ardhë në përfundim që ka shumë mundësi të keqperdorimeve, edhe pse bukur prezice ajo rregullore ekzistuese por na po dojmë me pru një rregullore e cila i menjanon të gjitha mundësitë e keqpërdorimit dhe nuk është e mundur që 2100 kërkesa për negocim direkt, ato do të zvogëlohen në mënyrë që praktikisht të vendoset, ndertesat e banimit që janë ndërtu para 20 dhe duhet me përcaktu në bisedë më ta që me ardhë deri të një cmim i arsyeshëm për me bë pagesën.  Dhe ti zvogëlojmë mundësitë maksimale, e kemi ndërpre negocimin direkt, prandaj edhe u rrit numri”, tha Mikullovci.