Foto: Ilustrim

Shitën produktin më shtrenjtë se çmimi i raftit, gjobiten dy biznese në Skenderaj

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Skenderajt u ka shqiptuar gjobë dy bizneseve, njëra është dënuar me 600 euro, kurse tjetra me 500 euro, pasi është konstatuar se kanë bërë shkelje të Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit.

Më saktësisht, nga Komuna e Skenderajt thonë se subjektet afariste nuk kanë harmonizuar çmimin e produktit të ekspozuar në raft me arkën e shitjes.

“Pas ankesës së konsumatorit në Drejtorinë e Inspekcionit, që në zbritjen e datës 1 nëntor, produkti supë gjeli ka qenë në zbritje nga 0.47 euro, në 0.29 euro, ndërsa në arkë konsumatori ka paguar për të njëjtin produkt 0.35 euro (dëshmi kuponi fiskal)” – thuhet në aktvendimin e Drejtorisë së Inspekcionit.

Në të dy subjektet afariste, ndaj të cilave është shqiptuar gjobë, është konstatuar natyrë e njëjtë e parregullsisë.

“Komuna e Skenderajt dhe Drejtoria e Inspekcionit falënderojnë qytetarët për bashkëpunim, dhe ftojnë në të njëjtën kohë të paraqesin çdo rast që bie ndesh me ligjet e aplikueshme në vendin tonë” – thuhet në njoftim.