'Shiriti' i Zenun Elezajt: Mangësitë që u gjetën në terren për projektet që u publikuan në Facebook si suksese
Përurime të shkollave të reja e rinovime, promovime të afaltimit të rrugëve dhe lirim të hapësirave publike janë disa prej materialeve të cilat përshkojnë rrjetet sociale të kryetarëve të komunave në Kosovë, megjithëse në këto postime nuk mungojnë as lëvdatat dhe kritikat.
Ekipi i KALLXO.com në Klinë zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar nga faqja zyrtare në Facebook e kryetarit dhe komunës të cilat ishin shpërndarë si suksese.
Videomateriali nisi nga postimi i publikuar më 19.03.2024 nga pamjet e shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë në të cilën u promovuan rinovimet jashtë dhe brenda shkollës.
Në pamje kryetari ka shfaqur funksionimin e shkollës, tabelat smart dhe ambientet e bukura jashtë shkollës.
Disa muaj më vonë oborri i shkollës fillore është mbushur me banka dhe invertarë i cili është nxjerrë jashtë si mbeturina.
Një shkollë tjetër që u promovua në rrjete sociale ishte edhe investimi në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”.
Punimet u promovuan si sukses gjatë muajit gusht por në tetor nxënësit gjetën grumbuj të mbetjeve të karrigeve e invertarit në oborrin e shkollës.
Kryetari Zenun Elezaj në “Jeta në Komunë” më 12.10.2024 dha një arsyetim për gjendjen e oborrëve të shkollave.
“Për asgjësimin e tyre, ne e kemi planifikuar që të shpallim në ankand publik. Dhe jemi në procedura të shpalljes së tenderit për me i dhanë për një vlerë të kompensume sepse përndryshe nuk kemi të drejtë me i asgjësu/bartë” – tha Elezaj.
Po ashtu videomateriali shfaqi se në vitin 2023 kryetari i Komunës promovi në Facebook projektin për ndërtimin e rrugës “Ymer Berisha” në qendër të Klinës.
Në projekt u premtua se do ketë vendndalime të shpejta për automjete. Por në terren qytetarët nuk mund t`i parkojnë veturat për shkak se ndalesat e shpejta nuk janë ndërtuar.
“Ka qenë e paraparë sipas projektit dy vendparkime, por ka pasë ndëryrje” – tha Zenun Elezaj pasi ndoqi materialin e prezantuar.