'Shiriti' i Ramiz Lladrovcit - Si duken në terren projektet që u publikuan në Facebook si sukses?

Në mesin e shumë projekteve të reja dhe investimeve që u promovuan nga qeverisja e Ramiz Lladrovci si ‘punë të mira’, ekipi i KALLXO.com zgjodhi disa postime nga rrjeti social “Facebook” për t’i verifikuar gjendjen e tyre në terren.

Ndër këto është projekti i finalizimeve të punimeve në tualetet publike në Stacionin e Autobusëve më 24.04.2024.

Hulumtimi i KALLXO.com gjeti në muajin tetor se pamjet e tualeteve të pastërta që u promovuan, nuk vazhdojnë të jenë njëjtë – përkundrazi në gjendje të mjerushme dhe duke kundërmuar nga mosmirëmbajtja e tualeteve.

Pasi ndoqi videomaterialin, kryetari Lladrovci për këtë tha se ‘menjëherë’ kur është bërë investimi, dikush e ka shkatërruar. Për këtë tha se ka rast edhe në organet e rendit.

“Na i kemi marrë të gjitha masat me e rregullu tualetin në stacion, e kemi bë projektin e kemi bë investimin, dhe të nesërmen menjëherë, janë shku e kanë thy krejt. Pra, dikush nuk e donë një investim. Na e kemi raportu në Polici, edhe ata merren. Komuna nuk kanë staf të mjaftueshëm për mirëmbajtjes, e as në stacion nuk ka mirëmbajtës” – tha Ramiz Lladrovci më 16.11.2024.

Një projekti tjetër i promovuar nga Komuna e Drenasit që ishte pjesë e hulumtimi është edhe vendosja e kubëzave në oborrin e ambulantës në fshatin Gllanasellë. Por, hapësirat vazhdojnë të jenë ende kaotike në oborrin e ambulantës .

“Kur e kam thanë unë është se pjesa përpara ambulantes është kry, por kjo tash është shtesë që po e bëjmë edhe brenda në oborr. Nuk e di kur, shpejtë kryhet. Na i kemi përdorë kubëzat dhe zhavorrit në shesh se nuk paguajmë për to vetëm për punën” – ishte aryestimi i Lladrovci për këtë gjatë “Jeta në Komunë”.

Një postim të gjatë Komuna e Drenasit ia dedikoi edhe fushës sportive në fshatin Tërstenik. Por hulumtimi i KALLXO.com gjeti se rrethojat janë prishur. 

Për këtë Lladrovci pati një arsyetim. “Na nuk jemi rojtarë të dëmeve që i bëjnë rinia. Kamera s’kemi, edhe kamerat m’i kanë vjedhë në Komoran”.

.Komuna e Drenasit në dhjetor të vitit 2022 publikoi një material të gjatë promovues në Facebook, ku promovonte riparimin e ulëseve në palestrën sportive “Hysni Jetullahu”. Disa muaj më vonë gjendja në sallë ka ndryshuar. Videomateriali shfaqi karrigat e demoluara.

“Vandalët i thyejnë kah të lujnë, ka tulifar tifozi. Mundeni me pa në televizion, i kam vendos karriget shumicën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” ka luajt Ballkani me Prishtinën, dhe tifozat e Prishtinës m’i kanë thy karriget, ende s’mi kanë pagu” – u shpreh Lladrovci në “Jeta në Komunë” pasi ndoqi videomaterialin e KALLXO.com