"Shiriti i kryetarit", projektet që i promovoi Bedri Hamza në Facebook- VIDEO

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza dhe drejtorët komunalë në vazhdimësi publikojnë materiale në rrjete sociale nga projektet që planifikohen, nisin ose përfundojnë nga qeverisja lokale në këtë komunë.

Në shtator të vitit 2023, Bedri Hamza publikoi fotografi të rrugës së Shipolit. Projekti u promovua edhe nga drejtori i Infrastrukturës, Granit Tmava.

Por, vetëm një vit pasi përfundoi projekti defektet e para shihen në terren. Trotuari i rrugës është i dëmtuar, ngjyra e shtigjeve për biçikleta është shlyer e disa prej shtyllave të ndriçimit publik janë lënë në pjesë të shtigjeve për biçikleta.

Një projekt tjetër i promovuar në rrjete sociale ishte ai i vendosjes së E-Kioskave. Bedri Hamza, bashkë me drejtorin e Administratës, Gëzim Stavileci, promovuan vendosjen e tyre në fshatin Kçiq i Madh dhe në Shipol.

Por, ekipi i KALLXO.com gjeti se në fshatin Kçiq i Madh, E-Kiosku i promovuar është jashtë funksionit dhe i thyer.

Po ashtu, edhe E-Kiosku në Shipol ishte jashtë funksionit më 08.11.2024.

Kryetari Bedri Hamza promovoi projekte edhe në fushën e arsimit.

Renovimi i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” ishte njëri ndër to.

Por, disa muaj pas renovimit, pamjet tregojnë që fasada ka nisur të dëmtohet.