‘Shiriti i kryetarit’, projektet që i promovoi Bali Muharremaj në Facebook

Kryetarët e komunave në vazhdimësi publikojnë materiale të projekteve komunale në llogaritë e tyre në rrjete sociale. Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ishte mjaft aktiv në rrjete sociale gjatë tri viteve qeverisje.

Më 30.12.2023 ai doli në terren për të inspektuar punimet tek ndërtimi i portës së qytetit. Por dhjetë muaj më vonë, gjendja nuk ishte ashtu siç u prezantua në Facebook.

Kubëzat e shtruara tek mbikalimi ishin të thyera e në hyrje të mbikalimit, nuk ishin vendosur rrethojat.

“Është një projekt i papërfunduar, nuk pranohen ato kubëza dhe ka një garancion bankar” – ka thënë Muharremaj kur është pyetur për projektin tek nënkalimi.

Një prjekt tjetër i promovuar nga i pari Komunës së Suharekës ishte shtegu i ecjes në fshatin Vraniq. Një vit pas, punimet nuk ishin siç ishin pasqyruar në Facebook.

Gjatë mandatit, Muharremaj promovoi edhe rrugët e shtruara në fshatra dhe qytet. Njëra ndër to ishte asfaltimi i rrugës Breshancë – Kastërrc. Tri vjet më pas, rruga është prishur.

“Është një rrugë që lidhë dy fshatrat, është një punë që është bërë, por që ka dështu, ne kemi nevojë me shku me riparu. Normalisht që kur t’i bënë katër vjet ka mundësi edhe me pasë lëvizje të tokës” – ishte përgjigjja e kryetarit për gjendjen e rrugës.