Shirat e rrëmbyer dhe përmbytjet shkaktojnë viktima dhe evakuime masive në Europën Qendrore
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Europën Qendrore u rrit në tetë të dielën dhe mijëra vetë u evakuuan në Republikën Çeke pasi shirat e rrëmbyer vazhduan të dielën, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të rajonit.
Një person u mbyt në Poloninë jugperëndimore, një zjarrfikës humbi jetën në Austri dhe dy persona të tjerë humbën jetën në Rumani, ku përmbytjet morën jetën e katër personave të shtunën.
Një sistem i presionit të ulët i quajtur Boris ka shkaktuar rrebeshe për ditë të tëra dhe lumenjtë kanë dalë nga shtratet nga Polonia në Rumani, ku numri i të vdekurve u rrit në pesë të dielën.
Të paktën deri të hënën parashikohen reshje të tjera shiu dhe erëra të forta. Disa pjesë të Republikës Çeke dhe Polonisë u përballën me përmbytjet më të mëdha në pothuajse tre dekada dhe disa qytete evakuuan mijëra banorë. Një çerek milioni familje çeke ishin pa energji elektrike.
Zjarrfikësi austriak humbi jetën ndërsa punonte me ekipet e ndërhyrjes së shpejtë, tha zëvendëskancelari Werner Kogler, ndërsa autoritetet e shpallën zonën që rrethon kryeqytetin Vjenën, një zonë fatkeqësie natyrore.
Një urë u shemb në qytetin historik polak Glucholazy pranë kufirit çek. Mediat lokale thanë se një shtëpi u rrënua dhe një urë u shemb në qytetin malor Stronie Slaskie, ku shpërtheu një digë, sipas institutit polak të motit.
Mbi 10,000 vetë ishin evakuuar në Çeki, tha kreu i shërbimit zjarrfikës për televizionin çek.
Përtej kufirit në Poloni, një person vdiq në qarkun Klodzko, për të cilin kryeministri Donald Tusk tha se ishte zona më e goditur e vendit pas takimit me zyrtarë në qytetin kryesor. Qyteti Klodzko ishte pjesërisht nën ujë nga vërshimi i lumit.
Zyrtarët në Glucholazy aty pranë urdhëruan evakuime herët të dielën, megjithëse përpjekjet për të mbrojtur infrastrukturën e qytetit nuk arritën të ndalonin shembjen e urës.
Në kryeqytetin hungarez, Budapest, zyrtarët parashikojnë që niveli i lumit Danub të ngrihet në gjysmën e dytë të kësaj jave në më shumë se 8.5 metra duke iu afruar një rekordi prej 8.91 metrash të vitit 2013. “Sipas parashikimeve, një nga përmbytjet më të mëdha të viteve të fundit po i afrohet Budapestit, por ne jemi të përgatitur ta përballojmë atë,” tha kryebashkiaku Gergely Karacsony./VOA.