Foto: REL/Reuters

Shifrat rreth coronavirusit tregojnë se nuk ka nevojë për frikë dhe panik

Me gjithë faktin se coronavirusi është lajmëruar fillimisht në Kinë, prej nga vjen edhe numri më i madh i të vdekurve dhe të infektuarve, dhe se deri më tani ky virus ka shkaktuar panik në nivel global, statistikat tregojnë se, megjithatë, numri i vdekurve dhe të infektuarve është jashtëzakonisht i ulët në raport me numrin e banorëve që vdesin nga gripet sezonale pothuajse çdo ditë, secilin vit, në botë.

Në kohën kur shteti kinez e ka bërë të ditur se numri i të infektuarve ka filluar të bie dhe se coronavirusi ka filluar të japë shenja të uljes së intensitetit, Italia u bë vendburim i ri i këtij virusi me më shumë se 400 raste të raportuara. Me tu përhapur ky virus në të njëjtën kohë filloi së përhapuri edhe një valë e re frike dhe shqetësimi.

Coronavirusi është bërë temë e patejkalueshme e secilës bisedë dhe njerëzit me padurim i përcjellin ngjarjet që kanë të bëjnë me këtë virus madje duke i hapur veshët nëse virusi ka trokitur në dyert e kufijve të vendeve të tyre ndërkohë që ekspertë të shumtë shëndetësorë janë detyruar që ti shpallin luftë të ashtuquajturës “infodemi” – një valë e madhe lajmesh dhe informacionesh të rreme të cilat plasohen pothuajse çdo minutë nëpër media televizive si dhe nëpër rrjete sociale duke shpërndarë, në këtë mënyrë, frikë dhe panik të madhe.

Megjithatë, ajo e cila asnjëherë nuk lë hapësirë për manipulime është matematika. Mjafton të shikohen të dhënat zyrtare dhe të arrihet në përfundim se nuk ka asnjë arsye për frikë dhe panik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri dje në mesnatë janë shënuar 81,109 raste të infektimit me coronavirus, shumica në Kinë  – madje 78.073 sosh.

Numri më i madh i të infektuarëve vijnë nga qyteti Vuhan.

Vuhani, qytet i cili gjendet në qendër të epidemisë ka 11 milionë banorë dhe nëse konstatojmë se të gjithë këta të infektuar mund të vijnë nga ky qytet, atëherë në proporcion me popullsinë 11 milionëshe, numri i të infektuarve përbën vetëm 0.7 për qind të të infektuarve në këtë qytet.

Kjo, pra, nënkupton se që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar e deri më tani, numri i banorëve të infektuar të Vuhanit është 0.7 për qind, respektivisht 99,3 për qind të banorëve të këtij qyteti nuk janë të infektuar.

Po ashtu, nëse prej numrit të të infektuarve e llogarisim numrin e të vdekurve (rreth 2,800) dhe të atyre të cilët janë shëruar (rreth 10.000) atëherë mund të vërejmë se numri aktual i njerëzve me virus sillet në rreth 70.000 dhe kjo nënkupton se përqindja e numrit të banorëve të infektuar në vetë vendburimin e këtij virusi është edhe më i vogël.

Në anën tjetër gjasat për ti mbijetuar këtij virusi janë shumë të mëdha. Sipas ueb-sajtit shkencor Live Science, në qoftë se jeni mbi 80 vjeç dhe jeni të infektuar më këtë virus atëherë mundësitë për të vdekur janë rreth 15 për qind.

Me fjalë tjera mbi 85 për qind e të infektuarve në moshën mbi 80 vjeç do të shërohen.

Nëse jeni i moshës 50 deri 60 vjeç, mundësitë për të vdekur ulen nën 1,3 për qind. Për ata që janë më të rinj se 40 vjeç mundësia e vdekjes nga ky virus bie në 0,2 për qind respektivisht, 99,8 për qind të  njerëzve të moshës më të rinj se 40 vjeç do të shërohen.

Dhe kjo vlen vetëm për ata të cilët tashmë janë infektuar me këtë virus.

Pra, nëse jeni i moshës 85 vjeçare, jetoni në Vuhan, keni 0,7 për qind mundësi për tu infektuar dhe pastaj, pasi të jeni infektuar, keni rreth 15 për qind të mundësisë për të vdekur.

Nëse krejt kjo përmblidhet ndryshe, do të vërehet se mundësitë për të vdekur nga ky virus janë 0,047 për qind respektivisht, 99,95 për qind për të mos vdekur. Prapë, kuptohet, nëse jeni të moshës mbi 85 vjeç dhe nëse jeni nga Vuhani.

Për një 45 vjeçar këto mundësi zvogëlohen në 0,002 për qind. Me fjalë tjera, nëse jeni 45 vjeçar mundësitë tuaja që të mos vdisni nga coronavirusi janë 99,99 për qind.

Mundësitë për të vdekur bien në mënyrë proporcionale me moshën dhe deri më tani asnjë banor në botë i infektuar me këtë virus dhe më i ri se 9 vjet nuk ka vdekur nga ky virus.

Në ndërkohë, sipas OBSH-së, numri i personave të vdekur në botë, sidomos fëmijëve, si pasojë e mosvaksionimit është më i madh sesa nga Coronavirusi. Ndërkohë këtë vit rreth gjysmë milioni njerëz kanë vdekur nga gripet tjera. Me fjalë tjera, ndërmjet 350 mijë deri në 650 mijë njerëz vdesin nga gripet tjera në nivel global.

Nga sëmundja e lisë, gjithnjë sipas kësaj organizate, vetëm në vitin 2019 kanë vdekur 140.000 femijë të pavaksinuar, më të vegjël se dy vjet.

Numri i të sëmurëve nga gripi i zakonshëm është më i madh sesa i atyre me coronavirus mirëpo coronavirusi karakterizohet me numër më te madh të vdekshmërisë.

Mirëpo, se kur do t’i vijë fundi coronavirusit në mënyrë që bota të marrë frymë lirisht kjo akoma nuk dihet.

Sipas Dr. Nancy Messonnier, drejtori i Qendrës Kombëtare të Imunizimit dhe frymëmarrjes në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve me seli në Atlanta, SHBA, shumica e viruseve të frymëmarrjes, siç janë viruset e gripit, janë sezonale. Mund të presim që numri i rasteve të coronavirusit të bjerë ndërsa po futemi në stinën e pranverës. Megjithatë, sipas saj, “është e parakohshme të supozohet një gjë e tillë.”

Tutje, ajo shton se nëse ky virus i ri sillet në mënyrë të ngjashme me viruset e gripit, mund të shohim më pak infeksione me ardhjen e stinës së pranverës dhe verës.

“Kjo është një sëmundje e re, ne nuk kemi kaluar as gjashtë javë qyshkur ky virus është paraqitur për herë të parë” ka deklaruar Dr. Messonnier.

Ditë më parë në Kosovë dhe në Shqipërinë Shqipëri  kishte dyshime për coronavirus, mirëpo pas analizave të bëra rezultatet kanë qenë negative.