Shifrat e infektimeve me COVID-19 në shkolla nga nisja e vitit shkollor

Tre muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor më 14 shtator janë infektuar me COVID-19 mbi 600 individë nga institucioneve shkollore.

Në këtë numër përfshihet infektimi i mësimdhënësve, nxënësve si dhe personelit teknik.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dërguar për KALLXO.com, nga 14 shtatori deri më 13 nëntor janë infektuar me COVID-19, 395 mësimdhënës dhe 64 prej tyre janë shëruar në gjithë komunat e Kosovës.

Sa i përket infektimeve të nxënësve edhe tek ta kalon shifra mbi 200. MASh ka bërë të ditur se në shkollat e Kosovës janë 240 nxënës të infektuar dhe 58 të shëruar.

Ndërsa, një numër më i vogël është infektimi i personelit teknik. Sipas Ministrisë, nga fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 nëntor janë shënuar 35 personel të infektuar me COVID-10 dhe 13 prej tyre janë shëruar.

Shkollat me skenar C

Ministria e Arsimit po ashtu ka bërë të ditur se që nga fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 nëntor, 35 shkolla të Kosovës janë duke mbajtur mësim sipas skenarit C, apo mësim nga distanca.

Numri  më i madh i shkollave cilat janë duke organizuar mësim në skenar C është në Prishtinë, që janë 16.

Pas Prishtinës është Vushtrria me 6, ndërsa Lipjani, Vitia, Novobërda, Skenderaj, Gjakova dhe Drenasi e kanë vetëm nga një shkollë që mbajnë mësim nga distanca.

Kurse, Obiliqi, Deçani dhe Fushë Kosova kanë  nga dy shkolla që zhvillojnë mësim me skenar C.

“Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe ai nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, ka bërë të ditur këshilltarja për informim e ministrit të Arsimit, Diellza Kukaj.

Ajo ka shtuar se deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokolit të reagimit ndaj COVID-19.

“Ndërkaq në pjesën tjetër mësimi po organizohet sipas skenarit A dhe skenarit B (sipas vendimit të ministrit për fillimin e vitit shkollor . Inspektorati i arsimit është në terren duke monitoruar gjendjen në shkolla në baza ditore, dhe duke përcjell formen e organizimit të mësimit në shkolla dhe zbatueshmërinë e udhezuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në ushte pademie; të njejtat raporte  nga inpektorati MASh i pranon çdo ditë”, tha Kukaj.

Mësimi për vitin shkollor 2020/21 për shkak të pandemisë COVID-19 ka filluar në dy faza, e para më 14 shtator dhe e dyta më 21 shtator.

Për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastet e infektimeve në shkollat në vend.

Viti shkollor në pandemi, sa u zbatuan masat anti-COVID në shkollat e Kosovës?