Në Milano të dielën. Qytetarët kanë ndezur qirinj në dritare dhe ballkone si një shfaqje e rezistencës ndaj virusit. Foto: Alessandro Grassani for The New York Times

Shifra ngushëlluese në Itali, më shumë të shëruar se sa të infektuar

Vijon përmirësimi i situatës me pandeminë COVID-19 në Itali. Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, numri i rasteve të reja me Covid-19 është më i vogël sesa ai i të shëruarve.

2646 janë rastet e reja, ndërsa 3033 janë personat e shëruar në 24 orët e fundit.

Ndërkohë, në Itali janë regjistruar 474 viktima në 24 orë, kështu totali i viktimave në Itali është 25 mijë.

Që prej nisjes së pandemisë, në Itali  janë infektuar me Coronavirus mbi 189 000 persona. Në total janë testuar më shumë se 1 milionë italianë.

Transporti është një fushë e rëndësishme e jetës së përditshme të qytetarëve. Qeveria italiane ka përgatitur një plan se si mund të bashkëjetohet me pandeminë Coronavirus dhe të mos pengohet lëvizja e lirë. Në bazë të udhëzimeve për fazën e dytë, nuk do të ketë kontrollim të biletave të trenave, ndërsa udhëtarët në avion do të jenë të detyruar të mbajnë doreza dhe maska mbrojtëse.

Gjithashtu, do të ketë matje të temperaturës së pasagjerëve në nisje dhe mbërritje. Natyrisht do të ketë dhe dezinfektim të vazhdueshëm të hapësirave në avionë dhe për në stacionet e trenave apo metrove.

Biletat e printuara do të eliminohen, për t’iu lënë vendin atyre dixhitale. Një ndër udhëzimet që po shkakton polemika është ajo e distancimit social. Kompanitë e fluturimeve po kundërshtojnë me forcë lënien e vendeve bosh në avionë, duke theksuar se në këtë mënyrë nuk justifikohet kostoja e udhëtimeve. Por, mosrespektimi i masave të reja mund të çojë deri në pezullimin e sistemit të transportit.