Ilustrim

Shi e borë edhe në 5 ditët e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në pesë ditët e ardhshme do të vazhdojë të ketë reshje shiu dhe bore.

“Situatë e paqëndrueshme meteorologjike do të vijoj edhe për këto pesë ditë të parashikimit. Në fushat barike do të ketë luhatje me tendencë të rritjes, derisa në fushat termike pritet rënie në të dy vlerat ekstreme. Reshjet e shiut dhe të borës të cilat tani po bien, do të vazhdojnë edhe gjatë natës së dielës, por nga dita e hënë reshjet do të jenë me intensitet më të dobësuar”, ka bërë të ditur IHK.

Tutje thuhet se sasitë e reshjeve për momentin më intensive janë në Dukagjin kurse në juglindje dhe në lindje të vendit sasitë e reshjeve janë dyfish më pak.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-7m/s”, është bërë e ditur më tej.

Në vendin tonë, tash e disa ditë ka pasur reshje të shiut dhe të borës, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë rajone.