Qeveria shfuqizon Udhëzimin për Gjuhët e Huaja në Programin e Studimit për dy cikle

Ekzekutivi në mbledhjen e 25 ka marrë vendim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Gjuhët e Huaja në Programin e Studimit të Ciklit të Dytë dhe të Tretë.

Siç njofton komunikata, ky vendim është marrë pasi që ky udhëzim nuk ka bazë në Ligjin për Arsimin e lartë.

“Në rekomandimin për shfuqizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thuhet se ky Udhëzim Administrativ nuk ka bazë në Ligjin për Arsimin e Lartë të Republikës së Kosovës dhe se i njëjti nuk është hartuar në pajtim me fazat procedurale  të hartimit sipas Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për këtë vendim, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka thënë që ka marrë shumë ankesa nga studentet pasi që ia cili ua pamundësonte shumë të rinjve e të rejave vijimin e studimeve të ciklit të dytë (master) apo të tretë (doktoratës).

“Për UA Nr. 03/2018, MAShTI ka marrë ankesa të shumta, pyetje, kërkesa e shqetësime nga dekanë, studentë dhe nga disa OJQ. Prandaj MAShTI ka iniciuar rastin me kërkesë në Zyrën Ligjore të Kryeministrit që të shqyrtojë aspektin ligjor e procedural të këtij UA. Zyra Ligjore e Kryeministrit ka konstatuar që UA Nr. 03/2018 nuk ka bazë ligjore në Ligjin për Arsimin e Lartë Nr. 04/L-037, si dhe nuk ka kaluar fazat procedurale për aprovim të parashikuara nga Rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në facebook.

Bajrami ka thënë që në ndërkohë, MAShTI do të rregullojë në mënyrë institucionale e ligjore këtë çështje duke siguruar kështu avancim të cilësisë në arsimin e lartë, me konsultim të gjerë të te gjitha palëve dhe duke evituar çdo diskriminim dhe shkelje të te drejtave të studentëve.