Foto: KALLXO.com

Shfuqizimi i Ligjit për Pagat, SBAShK-u s'i përjashton grevat në vitin e ardhshëm shkollor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) e ka cilësuar lajm të keq shfuqizimin e Ligjit për Paga nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për KALLXO.com se nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së grevave në vitin e ardhshëm shkollor.

“Kemi pritur që Gjykata t’i thotë ‘Po’ këtij ligji. Ky është një lajm i keq. Ne nesër do të kemi takime me përfaqësues të sindikatave të tjera, të shëndetësisë, policisë dhe doganave për të biseduar për hapat e mëtejmë. Do të veprojmë konform kërkesave dhe vlerësimit të  punëtorëve të arsimit. Nuk i përjashtojmë as grevat. Por shpresojmë që situata me pandeminë të kalojë”, tha ai.

Jasharaj shtoi se shpreson që Qeveria do të rrisë pagat e mësimdhënësve.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon Ligjin për Pagat